AktualitetNATO/BETë fundit

Mbi 90 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin ndihmën e bllokut për Ukrainën

Mbi 90 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian mbështesin ndihmën humanitare për Ukrainën, 88 për qind e tyre mbështesin strehimin e qytetarëve Ukrainas që ikin nga lufta, ndërsa 77 për qind i mbështesin sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë.

Këto janë gjetjet e anketës së Eurobarometrit të Agjencisë evropiane për hulumtimin e opinionit publik, e cila është publikuar të enjten nga Komisioni Evropian.

Sipas kësaj matje, 65 për qind e të anketuarve i mbështesin investimet e BE-së për furnizimin e Ukrainës me pajisje dhe armatim ushtarak.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe në rritjen e mbështetjes së qytetarëve të BE-së për politikën e përbashkët evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë. Këtë e mbështesin 77 për qind e qytetarëve, një rritje prej 16 për qind në krahasim me anketën e njëjtë të zhvilluar gjatë verës së vitit të kaluar.

Po ashtu, 84 për qind e qytetarëve të vendeve anëtare të bllokut e mbështesin tranzicionin energjetik, për zvogëlimin e varësisë nga gazi rus.

Eksportet e gazit natyror rus në BE besohet se do të zvogëlohen për gati 60 miliardë metra kub më 2023 në krahasim me 140 miliardë metra kub vitin e kaluar dhe gati 200 miliardë metra kub në nivelet para pandemisë së koronavirusit.

Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi më 24 shkurt 2022, është një prej konflikteve më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që prej krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja ishin afër një lufte bërthamore.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Fraksion.com