Lufta energjetike e Europës me Rusinë nuk ka përfunduar
Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency, IEA), thotë se kontinenti ka përfituar nga dimri i butë, por ka ‘shumë më shumë për të bërë’ për të diversifikuar furnizimet.
Birol paralajmëron se Europa nuk e ka fituar ende luftën e saj energjetike me Rusinë, pavarësisht një rënie të madhe të çmimeve të gazit, pasi ai u kërkoi qeverive të mbeten të fokusuara në ruajtjen dhe rritjen e furnizimeve.
Ndërsa BE-ja ka shmangur kryesisht një krizë të plotë energjetike, e cila ngjalli frikën e mungesave dhe ndërprerjeve të shumta, dimri i ardhshëm mund të jetë një sfidë më e madhe nëse kontinenti do të kishte mot më të ftohtë.
“Unë mendoj se Europa bëri një punë të mirë, strategjia e saj ka qenë një sukses i madh. Por të kesh besim të tepruar për dimrin e ardhshëm, është e rrezikshme. Është koha për të vazhduar dhe për të rritur përpjekjet për vitin 2023.”
Çmimet europiane të gazit natyror kanë rënë deri në 85 për qind, që kur arritën kulmin mbi 300 euro për megavat orë në muajin gusht, pasi përpjekjet për të siguruar burime alternative, ruajtja e furnizimeve ekzistuese dhe moti më i ngrohtë, kanë siguruar gaz të bollshëm në magazinë ndërsa fundi i dimrit po afrohet.
Kjo ka bërë që disa personalitete të industrisë të deklarojnë se Moska e ka humbur tashmë luftën energjetike që nisi, me qëllim dobësimin e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën, ndërsa afrohet përvjetori i parë i pushtimit rus më 24 shkurt.
Megjithatë, Europa nuk duhet të humbasë qëllimin e saj në ruajtjen ose zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Disa nga arritjet e bëra në energjinë e rinovueshme dhe reduktimin e të ardhurave të Rusisë, janë pozitive, por nuk është një zgjidhje e përhershme. Kemi pasur përparësinë e një dimri të butë. Fituam pak kohë, gjë që është jetike, por ka shumë më tepër për të bërë.”
Birol ka paralajmëruar se Rusia mund të shkurtojë 20% të furnizimeve të gazit që ajo ende dërgon në Europë përmes tubacioneve, përmes Ukrainës dhe Turqisë, ndërsa konkurrenca për furnizimet me gaz natyror të lëngshëm nga deti, ka të ngjarë të rritet ndërsa ekonomia e Kinës vazhdon të rihapet.
Birol paralajmëroi në nëntor se një dimër i ftohtë mund ta lërë Europën në vështirësi për të mbushur depozitat e gazit deri në 65% të kapacitetit deri në tetor 2023. Por që nga dita e hënë, nivelet e depozitimit të gazit në Europë janë tashmë 64% e kapacitetit, vlerë shumë më e lartë se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
Pavarësisht se disa vende europiane kanë rritur përdorimin e tyre të qymyrit për prodhimin e energjisë, për të ruajtur gazin për ngrohje dhe industri, emetimet e BE-së ranë 2.5% në vitin 2022, për shkak të përdorimit më të ulët të gazit dhe fillimit të ngrohtë të dimrit, tha kreu i IEA.
Birol kërkon një shndërrim afatgjatë, që jo vetëm shton burime të rinovueshme të energjisë, por gjithashtu siguron që një pjesë më e madhe e turbinave me erë ose baterive, të prodhohet në Europë.
Ai është takuar dy herë në javën e kaluar me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke shpjeguar se BE-ja duhet të mos jetë më e varur nga asnjë vend për furnizimet e tij me energji.
“Ne po hyjmë në një epokë të re industriale të prodhimit të teknologjisë së energjisë së pastër,” tha ai. “Dy fuqitë në prodhimin e kësaj energjie janë Kina dhe SHBA, të mbështetesh në një vend të vetëm është gjithmonë një ide e keqe. Pra, nëse duam diversifikim, Europa është një kandidat i mirë.”
Çmimet europiane të gazit ishin ende dy deri tre herë më të larta se përpara pakësimit të furnizimit të Rusisë, duke e lënë industrinë europiane në disavantazh.
“Ekonomia europiane është ende në këmbë, nuk pati recesion të madh ekonomik, edhe pse pësoi një goditje të madhe,” tha Birol.
“Por çmimet janë ende shtatë herë më të larta se në SHBA, ndërsa çmimet e energjisë elektrike janë tre herë më të larta se në Kinë”, shtoi ai. “Zgjidhja e qëndrueshme për sigurinë e energjisë duhet të bazohet në energjinë e rinovueshme.” / Financial Times
Fraksion.com