AktualitetKosovaTë fundit

Kosova miraton marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja pritet të votohet gjatë 23 shkurtit edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Nëse miratohet, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.

Pas hyrjes në fuqi, ajo do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.

“Në këtë mënyrë Prishtina dhe Sarajeva krijojnë një urë të re institucionale, por sidomos qytetare që është pritur moti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas miratimit.

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Të dyja këto marrëveshje u ratifikuan gjithashtu më 23 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

 

Fraksion.com