1 vit më pas: “Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”
Nga Mimoza GOLIKJA
Rusia nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022 duke shkaktuar konfliktin më të madh ushtarak në Evropë dhe që nga ajo ditë, Evropa nuk është e njëjta. Shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë është një ngjarje e paprecedentë për të gjithë kontinentin e Evropës por dhe më gjerë. Përveç numrit tragjik njerëzor të përfshirë, kjo krizë kërcënoi të prishë ekonominë globale, zinxhirët globalë të furnizimit dhe të ripërcaktojë pabarazitë gjeopolitike. Ky konflikt përmbysi jetët e miliona njerëzve duke sulmuar qytetet në veri, në lindje dhe në jug të vendit duke shkaktuar shkatërrim dhe dhimbje. Miliona njerëz u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin drejt Ukrainës perëndimore dhe vendeve fqinje. Por pushtimi rus ka shkaktuar dhjetra mijëra civilë të vrarë dhe një krizë të madhe humanitare. Valë masive refugjatësh në të gjithë Evropë dhe nevojën për ndihmë humanitare, financiare dhe psikologjike, në zonat dhe qytetet e sapoçliruara, si Kherson apo Lyman. Lufta ndërpreu për muaj eksportet e grurit të Ukrainës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, shkatëroi shtëpi në të gjithë vendin, shkatëroi sistemet e ujit të cilat shpesh janë të lidhura ngushtë me sistemet e ngrohjes, apo furnizimet me energji elektrike.
Që nga data 24 shkurt 2022, miliona njerëz kapërcyen kufirin me Poloninë dhe u vendosën atje ku mbi 1.4 milionë janë të regjistruar sot në Poloni, si refugjatë që sipas sondazheve, tre të katërtat e tyre dëshirojnë të kthehen në shtëpi. Të tjerë u kthyen ose u larguan nga Polonia nëpër Europë. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, në një nga paraqitjet e tij të fundit “politike”, kur foli nga podiumi i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, bëri sërish një lutje dramatike për ndihmë, duke besuar se Rusia do të sulmonte vendin e tij “në çdo moment”. E teksa Zelensky fliste, në hyrje të Konferencës ishte vendosur një poster i madh me një burrë të vdekur, të shtrirë në tokë ku shkruhej “Ukraina je ti”. Por çfarë ndodhi vitin që lamë pas në Ukrainë?
Disa nga gjetjet në terren
Ajo çfarë erdhi pas agresionit rus të 24 shkurtit 2022 në Ukrainë, tregoi se banorët e Mariupolit mbetën pa shtëpi dhe se në të vërtetë, Evropa u zgjua në një botë tjetër, ku rregullat e rendit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk po zbatoheshin më. Në mars 2022, një maternitet në skaj të Ukrainës u bombardua, një grua shtatzënë humbi jetën së bashku me fëmijën e saj të palindur, pastaj të tjerë civilë u shënjestruan dhe humbën jetën. Në prill, absurditeti i luftës arriti kulmin, me brutalitetin e zbuluar në qytetin Butsa, afër Kievit. Forcat ruse tashmë po linin qindra civilë të vdekur nëpër rrugë. Shenjat e torturës ishin prezent. Butsa u bë simbol i agresionit rus, tronditje dhe thirrje për Perëndimin për të vepruar. Por rusët s’u ndalën. Vetëm disa ditë më vonë, ata do të bombardonin një stacion treni në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, ku civilët po prisnin të evakuoheshi dhe të paktën 60 njerëz u vranë. OKB tha se ky ishte “krim i qartë kundër njerëzimit”. Koha ecte e dhuna shtohej. Në gusht dhe shtator, të dy palët ndërluftuese fajësuan njëra-tjetrën për bombardimin e një reaktori bërthamor në Zaporizhia, në juglindje të vendit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike mori akses në zonën e kontrollit të reaktorit vetëm në janar. E përsëri shtator, në Izium, në Ukrainën lindore, u gjet në pyll një varr masiv me më shumë se 400 trupa, kryesisht civilë. E ndërsa Kremlini nxiti një mobilizim të pjesshëm të rezervave, në tetor, një shpërthim shembi, një pjese të urës 19 km e gjatë që lidh Rusinë me Krimenë. Një muaj më vonë, forcat ukrainase rimorën Khersonin, në jug. “Ne po kthehemi, ngrini flamujt tuaj!”, iu tha presidenti Zelenskiy qytetarëve të tij. Megjithatë sot ndoshta ende zhvillohet një betejë tjetër e përgjakshme, në Bakhmut në Ukrainën lindore. Rusia është ajo që ka përmbysur gjithçka rreth Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligjit Ndërkombëtar. Vriten civilët, gratë përdhunohen, fëmijët rrëmbehen, të burgosurit torturohen dhe qytete të tëra bombardohen që nga harta.
Por ajo çfarë ishte dhe mbetet e rëndësishme gjatë gjithë vitit të tmerrit të luftës, udhëheqja politike e Ukrainës nuk u ndal kurrë së kërkuari ndihmë ushtarake nga Perëndimi. Herë e dëshpëruar, herë kërkuese, madje disa herë edhe shantazhuese. “Ukraina ka nevojë për vetëm 1% të avionëve dhe tankeve të NATO-s. Ne jemi duke pritur për kaq shumë ditë. Kush është shefi në komunitetin euroatlantik? Moska është? Këto nuk janë gjeste fisnike për të cilat ne duhet të përkulemi, por për kontributin tuaj në sigurinë e Evropës dhe botës”, tha presidenti ukrainas pranverën e kaluar. Mesazhi i tij ka qënë gjithmonë i njëjtë se kjo “nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e Ukrainës, por ka të bëjë me lirinë e Evropës”.
Përgjigja dhe mbështetja për Ukrainën
Ditën pasi Rusia sulmoi Ukrainën, udhëheqësit e 30 vendeve të NATO-s, (28 anëtarë plus Finlanda dhe Suedia) mbajtën një takim emergjence për të trajtuar atë që e cilësuan si rreziku më i madh për sigurinë euro-atlantike pas dekadash. Tashmë ishte tronditur “rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla”. Kishte filliuar ajo që do të bëhej lufta më e madhe në Evropë që nga LIIB. “Në këtë situatë të vështirë dhe që vazhdon të ndryshojë, nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por aleatët do të ofrojnë mbështetje dhe janë të përkushtuar që ta vazhdojnë atë”, iu tha atëherë gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg. “Se çfarë forme do të marrë mbështetja, kjo mbetet një pikëpyetje në vazhdimësi.”. Në muajt që pasuan, mbështetësit e Ukrainës në NATO dhe organizata të tjera, dërguan karburant, helmeta, furnizime mjekësore dhe forma të tjera mbështetjeje jovdekjeprurëse. Në vazhdim dhe pas një hezitimi të gjatë, erdhën sistemet e artilerisë dhe të mbrojtjes ajrore, me shpresën se NATO nuk provokonte Rusinë, NATO gjithmonë e kujdesshme për të mos qënë palë në koflikt, “Lufta e Rusisë me Ukrainën, nuk është një luftë e NATO-s”. Ndërsa ende vazhdon kjo qasje ndaj situatës së luftës në Ukrainë gati pas një viti, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh sërish pak ditë më parë në shtabin e NATO-s në Bruksel, për të ofruar më shumë mbështetje për Ukrainën, për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e Aleancës dhe për të marrë vendime të rëndësishme siç është psh dërgimi i tankeve në Ukrainë.
Gjatë një viti të sulmit të Rusisë, SHBA kanë ofruar mbi 27 miliardë dollarë në ndihma ushtarake për Ukrainën, ndërkohë që vendet e tjera aleate kanë dhënë mbi 19 miliardë dollarë, si Britania, Kanadaja, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia, nga 1 miliardë dollarë secili. “As NATO dhe as vendet e NATO-s nuk janë pjesë e konfliktit. Ajo çfarë ne bëjmë, është që ofrojmë mbështetje për Ukrainën. Ukraina po vetëmbrohet”. E lloji i mbështetjes që i ofrohet Ukrainës ka ndryshuar me zhvillimin e luftës, “kjo është një betejë logjistike, një përpjekje shumë e madhe e aleatëve për të gjetur municionin, karburantin, pjesët e këmbimit që nevojiten”, tha Stoltenberg. Kur tashmë pas gati një viti, rreth 40 mijë forca ushtarake janë nën komandën e NATO-s në Evropën lindore, që nga Estonia dhe deri në Bullgari pranë Detit të Zi. Rreth 100 mijë ushtarakë amerikanë janë të dislokuar në Evropë, mbi 140 anije luftarake lundrojnë në detet e Evropës. Ka një mbulim me mbikqyrje ajrore 24 orë në ditë, dhe 130 avionë në gjendje gatishmërie. Këto forca janë të gatshme në territorin e vendeve të NATO-s.
Shqipëria në krah të Ukrainës
“Shqipëria ka dërguar mjete ushtarake në Ukrainë, si edhe ka pozicionuar trupat e saj në Letoni. Gjithashtu po shtohet vazhdimisht prezenca në KFOR dhe në lindje”, kështu do të shprehej ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi për mediat vendase në mars 2022, ndërsa situata në rëndohej në Ukrainë. “Ne kemi dërguar tashmë ndihmën e parë të rëndësishme, të qenësishme në mjete ushtarake në Ukrainë dhe jemi angazhuar në vijim për të shtuar kontributet me gjithë mundësitë tona, qoftë me municione apo mjete ushtarake, por pa dyshim edhe pajisje humanitare si nga ushtria shqiptare, edhe nga shoqëria civile.”, do të shprehte gatishmërinë e vendit të tij ministri Peleshi, si një vend aleat i denjë në NATO.
Më datë 3 maj 2022, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të mbante një fjalim nëpërmjet videokonferencësë në Kuvendin e Shqipërisë. Ai falënderoi Shqipërinë për mbështetjen konkrete, për ndihmën në mbrojtje, për mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për bashkëpunimin e vendeve në platformën e OKB-së dhe për kujdesin dhe pritjen e fëmijëve ukrainas në Durrës. Vetëm dy ditë më pas , më datë 5 maj 2022, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama deklaroi në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë se Shqipëria do të kontribuojë për Ukrainën me 1 milion euro. “Në këtë konferencë ne do të kontribuojmë me 1 mln euro, e di që nuk do të ndryshoje në përfundimin e luftës pra mënyrën si po zhvillohet lufta, por ne jemi të nderuar që jemi këtu. Jam falenderues për kryeministrin polak që është pjesë e kësaj konference, për të bërë më të mirën për ukrainasit dhe të shohim sa më shpejt paqen.”, tha Rama në Konferencën e Donatorëve. Qeveria e Shqipërisë e miratoi vendimin në 10 qershor 2022, e vendosur për dhënin e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Qeverinë e Ukrainës, në shumën një milion euro.
“Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq, të cilët ndodhen për një vizitë në vendin tonë”, njoftoi faqja presidenciale e Ukrainës më 15 qershor 2022. “Presidenti i Ukrainës është i bindur se zhvillimi i një formati të tillë bashkëpunimi do të forcojë shtetet tona, rajonin dhe Evropën në përgjithësi.”, citon ajo. “Ky takim dëshmon për mbështetjen e popullit të këtyre shteteve për Ukrainën, integritetin tonë territorial, sovranitetin, kursin tonë për anëtarësim të plotë në BE”, tha Zelenskyy dhe vuri në dukje se takimi u zhvillua në prag të ngjarjeve historike të rëndësishme ndërkombëtare.
Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, autoritetet e Shqipërisë dënuan ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, duke shprehur solidaritet me popullin ukrainas. Gjithashtu Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga BE kundër Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme ruse, që përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji. Shqipëria gjithashtu ka njoftuar në 12 janar 2023, se do të hapë ambasadë në Ukrainë, duke pasur kështu së shpejti ambasadën e saj në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainë. Shteti shqiptar premtoi dërgimin e ndihmave ushqimore dhe humnitare në Ukrainë. Ministri i Mbrojtjes Peleshi dha detaje mbi mënyrën se si Shqipëria do të ndihmojë Ukrainën, “Ukraina mbush gati një vit që është në luftë ndaj agresionit rus, ku padyshimet dëmet në njerëz dhe në Infrastrukturë janë të mëdha”, tha Peleshi. Nga ana tjetër Shqipëria, anëtare e NATO-s u rreshtua në krah të saj dhe të BE-së në mbështetjen e Ukrainës, duke miratuar edhe disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje qëndrimi në Shqipëri për një periudhë 1 vjeçare si dhe krijimin e një task-force për të menaxhuar aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit që vijnë nga Ukraina. Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së. Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, që nga shkurti i vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar afërsisht 3 mijë shtetas ukrainas. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020. Në Ukrainë, në rajonin e Odesës jetojnë rreth 3500 shqiptarë. Shqipëria ka kundërshtuar aneksimin e Krimesë në vitin 2014 nga Rusia dhe lëvizjet e saj për të destabilizuar zonat e Ukrainës lindore.
Do jemi pranë jush, për aq kohë sa të duhet
Duke shënuar një-vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, Presidenti i SHBA Joe Biden tha se “Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, ndërsa iu drejtua një numri të madh njerzish në Varshavë, Poloni. “Për njerëzit e lirë që refuzojnë të jetojnë në një botë dëshpërimi, ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm në çdo kuptim”, tha Biden. “Brutalitet i jashtëzakonshëm i forcave ruse dhe mercenarëve. Ata kanë kryer shthurje, krime kundër njerëzimit pa turp dhe keqardhje”. Presidenti Biden akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për mizori dhe tha se përpjekja e tij për të nënshtruar një komb sovran nuk do të kishte sukses. “Epshi i lakmueshëm i Presidentit Putin për tokë dhe pushtet do të dështojë”, tha ai.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pas, udhëtimit të tij të papritur në një vizitë të paparalajmëruar në kryeqytetin ukrainas, ku u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskyy. Vizita e Biden në Ukrainë ishte një gjest solidariteti vetëm disa ditë para njëvjetorit të nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Ajo ishte e para vizitë e tij që nga pushtimi që synonte të demonstronte mbështetjen e qëndrueshme amerikane për vendin dhe popullin ukrainas. Në Kiev, presidenti amerikan njoftoi për një ndihmë prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë nga SHBA, përfshirë predha, raketa antitank, radarë të mbikëqyrjes ajrore dhe ndihma të tjera. Vizita në Kiev e presidentit amerikan, theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për të zmbrapsur forcat ruse. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi nga Kievi më 20 shkurt se një vit pas pushtimit të Ukrainës, “lufta pushtuese e Putinit po dështon” dhe se “Putini mendonte se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë”, tha presidenti Biden në krah të presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky. Ai pa nga afër terrorin me të cilin ukrainasit kanë jetuar për gati një vit. “Unë jam këtu për të treguar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë e vendit, sovranitetin tuaj dhe integritetin territorial. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë mbështetjen në mënyrë më efektive për ju dhe vendin tuaj”, tha presidenti amerikan Joe Biden në Kiev.
Vazhdimi i përkrahjes amerikane dhe aleatëve për Kievin përfshin edhe një ndihmë të re prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë. “Së bashku me aleatët jemi zotuar për rreth 700 tanke dhe mijëra mjete të tjera të blinduara. 1000 sisteme artilerie, më shumë se dy milionë municione armatimi, më shumë se pesëdhjetë sisteme raketash të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. E gjithë kjo për të mbrojtur Ukrainën dhe kjo nuk llogarit gjysmë miliardë dollarë të tjerë që do t’i shpallim sot”, tha Biden dhe shtoi se “kjo tregon se sa gjatë do jemi pranë jush, për aq kohë sa të duhet”.
Kufizimet për numrin e armëve bërthamore në traktatin NEW START
Nga ana tjetër edhe fjalimi i presidentit rus, Vladimir Putin erdhi vetëm tri ditë para përvjetorit të parë të luftës së paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe një ditë pas vizitës së papritur të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev. Kushtetuta e Rusisë i kërkon presidentit të mbajë fjalim para Parlamentit çdo vit, diçka që Putin nuk e ka bërë prej prillit të vitit 2021. Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit, mediat ndërkombëtare thanë presidenti rus ricikloi të njëjtat rreshta rreth arsyetimit të tij për pushtimin e Ukrainës të gati një viit më parë. Ai nuk përshkroi asnjë vizion se si mund të përfundonte lufta që ai filloi. Por ajo që bëri ai ishte titulli që pushtoi mediat kur Putin njoftoi se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore NEË START. Por pezullimi i traktatit në fakt në disa mënyra vazhdon në një ‘status quo’. Sipas marrëveshjes, SHBA dhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëra-tjetrës për të verifikuar pajtueshmërinë, por këto inspektime janë pezulluar që nga viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19. Prandaj fjalimi i Putinit, nuk ishte asgjë e re. Edhe pse një orë e 45 minuta, ai shprehu ankesa ndaj Perëndimin dhe rishqyrtoi të njëjtat justifikime për luftën e tij në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. Fjalimi i tij, në fakt, të kujtonte fjalimin televiziv që u transmetua më 24 shkurt 2022, duke njoftuar fillimin e pushtimit të Ukrainës, të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Rusisë. Putin përsëriti të njëjtin pretendim të pabazë se Moska nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përdorte forcën kundër Ukrainës.Thjesht ai dyfishoi pretendimin duke fajësuar Perëndimin për konfliktin. “Dua të përsëris: ishin ata që nisën luftën”, tha Putin. “Dhe ne përdorëm dhe vazhdojmë të përdorim forcën për ta ndaluar atë.”.
Fjalime të tilla si ajo e Putinit e 21 shkurtit 2023 synojnë më tepër audiencën vendase dhe ishte një mesazh për rusët gjithashtu. Ndonëse Putin e shfrytëzoi fjalimin e tij para kombit për t’i çuar mesazh botës dhe Perëndimit, ai sigurisht u foli rusëve në kërkim të mbështetjes, si dhe u bëri thirrje atyre për unitet. Adresimi i tij vjen gjithashtu 13 muaj para se Rusia të mbajë zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në mars të vitit 2024 dhe pas amendamenteve kushtetuese që ia mundësojnë Putinit garën edhe për dy mandate tjera gjashtëvjeçare në pozitën e presidentit. Në muajin shtator, Putin ka shpallur zyrtarisht rajonet ukrainase Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson si pjesë të Rusisë, ndonëse asnjëra nuk kontrollohet plotësisht nga forcat ruse. Ekspertët kanë vlerësuar se rreth 200.000 trupa ushtarake ruse mund të jenë vrarë apo plagosur në luftën ndaj Ukrainës dhe Kievi, nga ana tjetër, po synon të rikthejë kontrollin e gjithë territorit, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar dhe e konsideron pjesë të saj prej vitit 2014.
Traktati i New START
Por disa orë pas fjalimit të presidentit rus Rusia tha se do të respektojë kufizimet për numrin e armëve bërthamore, sipas traktatit të ri START me SHBA-në megjithëse Presidenti Putin pezulloi pjesëmarrjen e Moskës në këtë pakt. Sipas traktatit, të nënshkruar në vitin 2010 dhe të vlefshëm deri në vitin 2026, Moska dhe Uashingtoni zotohen të mbajnë jo më shumë se 1,550 mbushje strategjike bërthamore të dislokuara dhe një maksimum prej 700 raketash me rreze të gjatë veprim dhe avionë bombardues strategjikë. “Për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme stabiliteti dhe parashikimi në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t’i përmbahet një qasjeje të përgjegjshme dhe do të vazhdojë të respektojë rreptësisht kufizimet sasiore të parashikuara nga traktati i ri START”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. Kjo ministri ka vënë në dukje se Rusia do të vazhdojë të shkëmbejë informacione për provat me raketa balistike, sipas marrëveshjeve të mëparshme me Shtetet e Bashkuara./marrë nga gazeta Tema
Fraksion.com