Tabaku: Ligji për investimet strategjike, antikushtetues
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi sot se, ligji “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” nuk ka kontribuuar për mirë në ekonominë dhe vendin tonë dhe është antikushtetues.
Në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ndërsa diskutohej nisma e Tabakut për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, ajo tha se, “investimet Strategjike janë përfituar nga një grup i vogël biznesmenësh që nuk kanë ofruar ndonjë vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare”.
Në prezantimin e nismës së saj, Tabaku tha se, “ligji për investimet strategjikë është një ligj që në gjykimin tonë i ka përfunduar arsyet për të cilën është krijuar, sepse ka qenë një ligj antikushtetues sepse u krijua për të favorizuar një grup të caktuar individësh me statusin e investitorit strategjik dhe sigurisht është keqpërdorur, megjithëse qëllimi i ligjit ka qenë për të promovuar disa sektor të veçantë”.
Ajo tha se, “në masën 95% të gjitha vendimet janë në fushën e turizmit, ka vetëm dy në fushën e bujqësisë, 2 në fushën e energjisë. Në pjesën më të madhe vendimet kanë qenë abuzive dhe korruptive”.
“Që në momentin e krijimit të ligjit, në vitin 2015, ka pasur një afat të përkohshëm tre vjeçar dhe tashmë kanë kaluar 8 vite dhe ligji është shtyrë 3 herë. Ky ligj jep asete publike pa garë në mënyrë selektive. Nga ky ligj ka përfituar dhe oligarku rus Deripaska, që fshihet si një investitor strategjik për luleshtrydhe në zonën e qarkut Fier. Kjo më duket e papranueshme”, u shpreh deputetja Tabaku, e cila sqaroi edhe më tej se, ky projektligj kërkon të shohë edhe vullnetin politik të kësaj mazhorance.
“Kam kërkuar përfundimin e ligjit të investimeve strategjike për 1 janarin 2023. Nëse kjo mazhorancë ka vullnetin të aprovojë projektligjin që kërkon ndalimin e investimeve strategjike jam e gatshme që të dakordësohem që data e fundit e pranimit të ofertave të jetë 1 mars 2023. Por a është kjo mazhorancë gati? A ka vullnet politik?”, u shpreh ajo.
Tabaku prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë në 8 dhjetor 2022 një paketë ligjesh dhe ndryshimesh ligjore për të luftuar korrupsionin. Propozimet janë duke u diskutuar në komisionet parlamentare.
Fraksion.com