Rusia: Do respektojmë kufizimet e traktatit bërthamor START megjithëse Presidenti Putin pezulloi pjesëmarrjen
Rusia tha të martën, 21 shkurt,se do të respektojë kufizimet për numrin e armëve bërthamore, sipas traktatit të ri START me SHBA-në megjithëse Presidenti Vladimir Putin pezulloi pjesëmarrjen e Moskës në këtë pakt.
Sipas traktatit, të nënshkruar në vitin 2010 dhe të vlefshëm deri në vitin 2026, Moska dhe Uashingtoni zotohen të mbajnë jo më shumë se 1,550 mbushje strategjike bërthamore të dislokuara dhe një maksimum prej 700 raketash me rreze të gjatë veprim dhe avionë bombardues strategjikë.
“Për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme stabiliteti dhe parashikimi në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t’i përmbahet një qasjeje të përgjegjshme dhe do të vazhdojë të respektojë rreptësisht kufizimet sasiore të parashikuara nga traktati i ri START”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme ruse.
Kjo ministri vuri në dukje se Rusia do të vazhdojë të shkëmbejë informacione për provat me raketa balistike, sipas marrëveshjeve të mëparshme me Shtetet e Bashkuara.
Dhoma e ulët e parlamentit rus, do të shqyrtojë të mërkurën projektligjin e presidentit Vladimir Putin për pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin bërthamor START dhe do të marrë menjëherë një vendim për të, tha të martën kryetari I Dumës ruse, Vyacheslav Volodin.
Duma më pas do ta dërgojë projektligjin në dhomën e lartë të Këshillit të Federatës, tha ai në një deklaratë./VOA
Fraksion.com