AktualitetBota+Të fundit

Pesë ligjvënës republikanë takojnë Zelenskyy-n, mes përplasjeve të brendshme mbi ndihmën për Kievin

Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve u takuan të martën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, si një sinjal i mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-ve për Kievin. Takimi u zhvillua edhe pse disa ligjvënës që përfaqësojnë krahut te ekstremit te djathtë të partisë, janë zotuar të bllokojnë ndihmën e ardhshme për vendin e goditur nga lufta.

Kryetari i sapoemëruar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Mike McCaul ishte në krye të një delegacioni të vogël, që u takua në Kiev me zotin Zelenskyy, takimi i parë që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt të viti 2022, si dhe i pari që kur republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit.

Kryetari Mike McCaul dhe katër ligjvënës të tjerë republikanë thanë se ata diskutuan gjerësisht mbi nevojat e ushtrisë së Ukrainës për t’u përballur me agresionin rus. Zoti Zelenskyy u dha atyre një listë armësh që i nevojiten vendit të tij, mes tyre artileri me rreze më të gjatë veprimi dhe sisteme raketash ajër-tokë.

Takimi pasoi vizitën e paparalajmëruar të një dite më parë të Presidentit Joe Biden në Kiev, ku rikorfirmoi mbështetjen e SHBA-ve për Ukrainën ndërsa lufta po hyn në vitin e saj të dytë.

Presidenti Biden është përpjekur t’i mbajë aleatët të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën ndërsa lufta pritet të intensifikohet me ofensivat që janë parashikuar të nisin në pranverë. Pengesa më e madhe me të cilën përballet presidenti janë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve. Vizita e zotit McCaul të martën është më e fundit në një seri përpjekjesh të republikanit të Teksasit, për të mbrojtur qëndrimin e tij para partisë, se pse SHBA-të duhet të vazhdojë të shpenzojë miliarda dollarë për luftën.

Ne kemi parë herë pas here shumicën e republikanëve dhe demokratëve të mbështesin ndihmën tonë për Ukrainën. Por administrata Biden duhet të hartojë një strategji të saj afatgjatë“, tha zoti McCaul në një deklaratë. “Disa ligjvënës do të ishin më mbështetës, nëse do të shihnin një strategji afatgjatë, e cila të bazohej tek një fitore e Ukrainës, në vend që të synonte dërgimin e një ndihme të mjaftueshme për të zgjatur luftën, por jo për ta fituar atë“.

Prej pranverës së kaluar, një fraksion i ekstremit të djathtë të Partisë Republikane ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit për Ukrainën. Kjo fushatë u intensifikua këtë muaj kur një grup prej 11 republikanësh të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga ligjvënësi Matt Gaetz paraqiti një rezolutë të quajtur “Lodhja nga Ukraina”. Ai deklaroi se SHBA-të “duhet t’i japin fund ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën” dhe u kërkoi palëve ndërluftuese “të arrijnë një marrëveshje paqeje”.

Amerika është drejt rënies (ekonomike) dhe situata do të përkeqësohet nëse ne vazhdojmë të dërgojmë dollarët e taksapaguesve drejt një lufte të huaj“, tha zoti Gaetz.

Deri më tani, SHBA-të ka ofruar katër raunde ndihme për Ukrainën si përgjigje ndaj sulmit rus, në total rreth 113 miliardë dollarë. Një pjesë e parave po shkojnë për rimbushjen e pajisjeve ushtarake amerikane që janë dërguan në vijat e para të frontit.

Kongresi miratoi raundin e fundit të ndihmës në dhjetor. Ndërsa paketa është parashikuar të zgjasë deri në fund të vitit fiskal, në shtator, shumë do të varet nga ngjarjet në terren.

Nga ana e tij, zoti Zelenskyy ka punuar si me demokratët ashtu edhe me republikanët për të siguruar mbështetjen e tyre edhe kur vendit t’i mbarojë ndihma, gjë që ka të ngjarë të ndodhë në fund të verës. “Është vërtet shumë e rëndësishme. Ne i jemi mirënjohës SHBA-ve”, tha zoti Zelenskyy në një video të postuar nga zyra e tij pas takimit.

Në komentet e mëvonshme në mediat sociale, Presidenti Zelenskyy shprehej më tej: “Faleminderit ligjvënës amerikanë, për mbështetjen për Ukrainën e që kuptoni rëndësinë e rritjes së ndihmës në funksion të fitores mbi agresorin”.

 

Fraksion.com