Arrestohet në Gjermani 30 vjeçari i shpallur në kërkim nga SPAK
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe homologët gjermanë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Freiburg”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim nga SPAK.
Policia e Shtetit bën të ditur se, në kuadër të këtij operacioni, është kapur nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimi, një shtetas i akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale.
“Në vijim të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit policor të koduar “Freiburg”, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe shkëmbimit në kohë, nga Policia gjermane është kapur në Freiburg, Gjermani, dhe është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. D., 30 vjeç. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden/Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.
Fraksion.com