AktualitetOp-EdTë fundit

Stoltenberg: Ne jemi në një garë logjistike

Nga Mimoza Golikja

 

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u takuan në Bruksel më 14 dhe 15 shkurt 2023, për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e Aleancës, si dhe për të rritur mbështetjen për Ukrainën. Ata adresuan rezervat dhe infrastrukturën kritike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, që në fillim vuri në dukje urgjencën e ofrimit të aftësive kyçe në Ukrainë përpara se Rusia të mund të merrte iniciativën në fushën e betejës.“Ne jemi në një garë logjistike”, tha ai, duke theksuar se “shpejtësia do të shpëtojë jetë”. Ministrat ranë dakord për një nivel të ri ambicie për planifikimin e mbrojtjes së NATO-s dhe trajtuan mënyrat për të rritur kapacitetin industrial të mbrojtjes dhe për të rimbushur rezervat. Ata gjithashtu ndërmorën hapa për të rritur mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore dhe diskutuan mënyrat për të ruajtur dhe rritur shpenzimet e mbrojtjes në të gjithë Aleancën.

 Hapa për të forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen

NATO po rrit mbështetjen për Ukrainën, ndërkohë që forcon më tej parandalimin dhe mbrojtjen dhe rrit rezervat, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg më 15 shkurt 2023, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. “Utakuam për të trajtuar çështjet kyçe për sigurinë tonë. Kjo përfshin rritjen e mbështetjes sonë për Ukrainën, forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes sonë, me forcat, aftësitë dhe rezervat e duhura duke mbrojtur infrastrukturën tonë kritike, duke forcuar planifikimin tonë ushtarak dhe bashkëpunimin tonë me industrinë.”. Tashmë ka një vit që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës, “konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ne nuk shohim shenja se Rusia po përgatitet për paqe. Përkundrazi, Rusia po fillon ofensiva të reja.”, vuri në dukje Stoltenberg.

Vendimi për të forcuar më tej frenimin dhe mbrojtjen e Aleancës,përfshin gjithashtu miratimin e udhëzimeve të reja për planifikimin e mbrojtjes së NATO-s. “Sot, aleatët morën hapa për të forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s. Që nga Samiti ynë historik i Madridit, ne kemi bërë përparim të mirë. Kemi rritur mbrojtjn tonë përpara duke përmirësuar gatishmërinë dhe planet tona të mbrojtjes.”. Aleatët ranë dakord për udhëzime të reja për planifikimin e mbrojtjes së NATO-s. “Kjo pasqyron realitetin që po jetojmë në një botë më të rrezikshme, me sjelljen agresive të Rusisë, kërcënimin e vazhdueshëm të terrorizmit dhe sfidat e paraqitura nga Kina. Kjo do të nxisë ndryshimet e aftësive për vitet në vijim. Dhe do të sigurojë që parandalimi dhe frenimi ynë dhe Mbrojtja të mbetet e fortë dhe e besueshme”.Ministrat trajtuan gjithashtu mënyra për të rritur kapacitetin industrial dhe për të rimbushur rezervat e armatimeve dhe municioneve, të cilat “duhen më shumë se kurrë”, duke pasur parasysh mbështetjen e paprecedentë të aleatëve për Ukrainën. U ra dakord mbi nevojën për të punuar krah për krah me industrinë e mbrojtjes për të rritur kapacitetin industrial. Tashmë po rishikohen objektivat e aftësisë së NATO-s për rezervat e municioneve. “Ne jemi gati dhe po shqyrtojmë objektivat e aftësisë së NATO-s për rezervat e municioneve dhe unë mirëpres projektet e rëndësishme shumëkombëshe të dakorduara nga aleatët sot. Këto përfshijnë një projekt për magazinimin e municioneve, e cila do të mbështesë parapozicionimin dhe grumbullimin e municioneve aleate dhe një projekt për mbrojtjen ajrore me bazë tokësore.” Ministrat e Mbrojtjes ranë dakord gjithashtu të rrisin mbështetjen për partnerët e tjerë në rrezik, Bosnje dhe Herzogovinën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Ata ranë dakord të shtojnë mbështetjen e përshtatur për të rritur aftësitë e tyre mbrojtëse, qëndrueshmërinë dhe ndërveprueshmërinë me NATO-n. Ata diskutuan rëndësinë e investimit më shumë në mbrojtje dhe angazhimet e ardhshme përtej 2024. “Ndërsa vazhdojmë të përshtatim Aleancën tonë, ne duhet të kemi burimet e duhura”. Ndërkohë tani më shumë vende aleate po shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtje dhe 2022 ishte viti i tetë radhazi i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe Kanadaja, me një investim shtesë prej 350 miliardë dollarësh. “Ky trend pritet të vazhdojë edhe këtë vit. Por duhet bërë më shumë”, tha Shefi i NATO-s.

Mbështetja për Ukrainën në“luftën për liri në një afat të gjatë”

Aleatët u takuan me ministrin ukrainas të mbrojtjes Oleksii Reznikov për të diskutuar situatën në terren dhe nevojat më urgjente ushtarake të Ukrainës, në ditën e parë të ministerialit.

Grupi i Kontaktit të Ukrainës do të mbështesë “luftën e Ukrainës për liri në një afat të gjatë”, tha Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, duke shtuar se kjo do të ndihmojë në avancimin e Ukrainës gjatë një “kundërofensive të pranverës”, tha ai. “Me unitet dhe urgjencë, ne do të japim përsëri mbështetjen që i kemi premtuar Ukrainës. Ne do t’i vendosim aftësitë në duart e forcave të trajnuara ukrainase, në mënyrë që ata të mund të jenë të integruar së bashku në fushën e betejës”. Grupi i Kontaktit i formuar në qershor 2022, përbëhet nga më shumë se 40 vende që takohen çdo muaj për të koordinuar dërgesat e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë. Austin tha gjithashtu se është zotuar për gati 50 miliardë dollarë në “ndihmë vdekjeprurëse” për të mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të Rusisë vitin e kaluar. “Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda po punojnë së bashku për të ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë,” tha ai. “Franca dhe Italia po punojnë për të siguruar një sistem të mbrojtjes ajrore SAMP/T”. Austin tha se një vit pas pushtimit të Rusisë “ne jemi të bashkuar si kurrë më parë.”.

Duke nënvizuar dritaren e mundësisë së Ukrainës për të përmbysur ekuilibrin e luftës, Stoltenberg mirëpriti premtimet e mbështetjes të bëra nga aleatët e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë më shumë armë të rënda dhe trajnime ushtarake. Ai falenderoi aleatët për kontributin e tyre të rëndësishëm në Paketën Gjithëpërfshirëse të Ndihmës së NATO-s, e cila po i siguron Ukrainës ushqim, karburant, pajisje mjekësore, pajisje kundër dronëve dhe ura amfibe. “Ministri i Mbrojtjes Reznikov informoi ministrat e NATO-s për situatën dhe nevojat më urgjente të Ukrainës. I mirëpres premtimet e reja të mbështetjes të bëra nga aleatët e NATO-s, përfshirë më shumë armë të rënda dhe stërvitje ushtarake. Kjo është kritike. Ukraina ka një dritare mundësie për të anuluar balancën dhe koha është thelbësore. Dua të falënderoj aleatët për kontributet e tyre të rëndësishme, duke përfshirë Paketën Gjithëpërfshirëse të Ndihmës së NATO-s. Kjo po i siguron Ukrainës ushqim, karburant, furnizime mjekësore, sisteme kundër dronëve dhe ura amfibe.”

NATO krijon njësinë e koordinimit të infrastrukturës nënujore

 Duke u mbështetur në masat për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s njoftoi më 15 shkurt, krijimin e një Njësie të Koordinimit të Infrastrukturës Kritike Nënujore në Selinë e NATO-s, që do të lehtësojë angazhimin me industrinë dhe bashkojë palët kryesore të interesit ushtarak dhe civil. “Sot, ministrat trajtuan gjithashtu sigurinë e infrastrukturës kritike nënujore. Sabotimi i tubacioneve Nord Stream na ka kujtuar të gjithëve dobësitë me të cilat përballemi. Ministrat i ngarkuan autoritetet ushtarake të NATO-s që të japin këshilla se çfarë duhet të bëjmë më shumë. Përfshirë përmes koordinimit dhe bashkëpunimit më të mirë me sektorin privat. Jam duke ngritur një Njësi Kritike të Koordinimit të Infrastrukturës Nëndetare këtu në Selinë e NATO-s”, tha Stoltenberg. E udhëhequr nga gjenerallejtënant Hans-Werner Wiermann, “një ish-oficer ushtarak gjerman shumë i respektuar, qendra do të lehtësojë angazhimin me industrinë dhe do të sjellë së bashku palët kryesore të interesit ushtarak dhe civil”, tha Stoltenberg. Shefi i NATO-s shtoi se qendra do të ndajë gjithashtu praktikat më të mira, do të përdorë teknologjitë e reja dhe do të rrisë sigurinë e infrastrukturës nënujore aleate dhe në Samitin në Vilnius, “do të merren vendime të mëtejshme për të siguruar që NATO mund të koordinojë efektivisht ndërmjet sektorit ushtarak, civil dhe privat për të siguruar infrastrukturën tonë kritike nënujore.”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

“Jam i kënaqur që marr drejtimin e Njësisë Kritike të Mbrojtjes së Infrastrukturës Nëndetare”, tha Wiermann, nga ana e tij dhe shtoi se kjo njësi  “do të mundësojë një koordinim më të mirë midis aktorëve kryesorë ushtarakë dhe civilë dhe me industrinë, për një çështje që është jetike për sigurinë tonë” dhe falënderoi për besimin e dhënë.

Ishte pikërisht sabotimi i shtatorit të kaluar në Nord Stream që nxjorri në pah cenueshmërinë e tubacioneve të energjisë nënujore dhe kabllove të komunikimit. Prandaj si përgjigje, aleatët e NATO-s kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre ushtarake rreth infrastrukturës kryesore, duke përfshirë anijet dhe avionët patrullues. Në janar, NATO dhe BE ngritën gjithashtu një grup pune të përbashkët për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Hans-Werner Wierman ka mbajtur më parë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s në selinë e NATO-s në Bruksel.

Iniciativa Evropiane e Mburojës së Qiellit edhe me dy pjesëmarrës të tjerë

Danimarka dhe Suedia iu bashkuan Iniciativës Evropiane të Mburojës së Qiellit (ESSI) të koordinuar nga Gjermania  ditën e dytë të ministerialit më 15 shkurt 2023. Kjo e çon numrin e pjesëmarrësve në 17, duke përfshirë 15 aleatë si dhe të ftuar Finlandën dhe Suedinë. Ndër të tjera, nisma synon të forcojë Mbrojtjen e Integruar Ajrore dhe Raketore të NATO-s duke lehtësuar blerjen dhe integrimin shumëkombësh të një game të gjerë aftësish të mbrojtjes ajrore nga vendet evropiane.“Udhëheqja e Gjermanisë përmes Iniciativës Evropiane të Mburojës së Qiellit, duke shfrytëzuar kornizat tashmë ekzistuese të bashkëpunimit të NATO-s, është një hap vendimtar për të siguruar që NATO mund të mbrohet në mënyrë efektive kundër kërcënimeve ajrore dhe raketore”, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Një pjesë e blerjes shumëkombëshe të parashikuar të ESSI do të kryhet përmes një shtegu të përvetësimit të shpejtë brenda Projektit Modular të NATO-s për Mbrojtjen Ajrore me Bazë Tokësore me Dukshmëri të Lartë. Dhjetë ministra të Mbrojtjes aleate e nisën këtë përpjekje paralelisht përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi dhe angazhimeve të financimit të lidhura me to.

Aleatët dhe të ftuarit bashkojnë forcat për të zhvilluar aftësitë e ardhshme të NATO-s

Ministrat nga 25 vende aleate, plus Finlanda dhe Suedia, nënshkruan më 15 shkurt angazhime të reja madhore për të zhvilluar dhe prokuruar së bashku sisteme që sigurojnë aksesin e NATO-s në teknologjinë më të avancuar. Përparim po bëhet në një sërë fushash, përfshirë mbrojtjen ajrore me bazë tokësore, mbrojtjen kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, dhe lëvizshmërinë/kundër-lëvizshmërinë.Tre projekte të Lëvizshmërisë dhe Kundër-Mobilitetit u nisën si pjesë e kësaj përpjekjeje. 12 nga pjesëmarrësit ranë dakord të punojnë për blerjen e një sërë mjetesh për të siguruar aftësinë e NATO-s për të siguruar lëvizshmëri në të gjitha terrenet, duke përfshirë aftësitë e urës ushtarake, zgjidhjet për të lidhur asetet ekzistuese të urave, automjetet në mbështetje të punës inxhinierike ushtarake, si dhe kundër- asetet e lëvizshmërisë.Në një iniciativë tjetër, dhjetë aleatë ndërmorën hapin tjetër drejt zhvillimit të një zgjidhjeje modulare për Mbrojtjen Ajrore me Rreze Shumë të Shkurtër, të Shkurtër dhe të Mesme Tokësore (GBAD), duke nisur Konceptin Modular GBAD me vlerë 20 milionë euro.

Si pjesë e një projekti tjetër, katër vende pjesëmarrëse do të lidhin objekte të ndryshme të mbrojtjes kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore brenda një arkitekture të vetme. Kjo do t’i bëjë aftësitë e mbrojtjes CBRN më gjerësisht të disponueshme në të gjithë Aleancën.Tetë pjesëmarrës të rinj i janë bashkuar Iniciativës Shumëkombëshe për Magazinimin e Municioneve, e cila shënon një ndryshim thelbësor në mënyrën se si aleatët menaxhojnë ruajtjen e rezervave të municioneve. Projekti është kritik për paravendosjen e municioneve në mbështetje të grupeve luftarake shumëkombëshe të NATO-s në krahun lindor.Përpjekja fillestare e Kapacitetit të Mbikëqyrjes së Ardhshme Aleate gjithashtu mori formë; ai synon të japë një zgjidhje të re deri në kohën kur flota aktuale E3 AWACS e NATO-s të dalë në pension në vitin 2035.

 Nis projektimë i madh hapësinor në historinë e NATO-s

 16 aleatë, (Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Spanja, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuar), së bashku me të ftuarit Finlandën dhe Suedinë, nisën një nismë të re që do të transformojë mënyrën se si NATO mbledh dhe përdor të dhënat nga hapësira, do të përmirësojë ndjeshëm inteligjencën dhe mbikëqyrjen e NATO-s dhe do të sigurojë mbështetje thelbësore për misionet ushtarake të NATO-s dhe operacionet. E quajtur “Vëzhgim i vazhdueshëm i Aleancës nga Hapësira” (APSS), kjo nismë do të konsistojë në krijimin e një konstelacioni virtual – ‘Aquila’ – të aseteve hapësinore kombëtare dhe komerciale, si satelitët, duke shfrytëzuar përparimet më të fundit në teknologjinë komerciale të hapësirës. Si e tillë, ajo do të ndihmojë në përmirësimin e mbledhjes, ndarjes dhe analizës së të dhënave midis aleatëve të NATO-s dhe me strukturën komanduese të NATO-s, duke gjeneruar njëkohësisht kursime në kosto. “Ky projekt është gjithashtu një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit civilo-ushtarak, duke ofruar një aset të fuqishëm për kutinë tonë të mjeteve të inteligjencës”, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoană.Kontributi i hershëm i Luksemburgut prej 16.5 milionë euro ka hedhur themelet për këtë nismë transformuese dhe do t’u lejojë vendeve pjesëmarrëse të kontribuojnë në ‘Aquila’ përmes aseteve, të dhënave dhe/ose fondeve të tyre.Integrimi dhe shfrytëzimi efektiv i të dhënave nga hapësira ka qenë një sfidë në rritje me kalimin e kohës. APSS do të ndihmojë në lehtësimin e navigimit, komunikimit dhe zbulimit më të mirë të lëshimeve të raketave. Duke përdorur teknologjitë më të fundit nga industria, APSS do të ndihmojë në avancimin e agjendës së inovacionit të NATO-s dhe do të ofrojë një platformë të re për t’u angazhuar me industrinë hapësinore në rritje.APSS përbën një element të rëndësishëm në zbatimin e Politikës Gjithëpërfshirëse Hapësinore të NATO-s të miratuar në vitin 2019.

Polonia kontribuon ndjeshëm në NATO. Bjellorusia t’i japë fund bashkëpunimit me Rusinë!

 Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg vlerësoi angazhimin e Polonisë ndaj Aleancës dhe për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, gjatë takimit  që pati me Presidentin Andrzej Duda në selinë e NATO-s më 15 shkurt. Sekretari i Përgjithshëm theksoi se Polonia kontribuon ndjeshëm në NATO. “Ju prisni një nga grupet luftarake të NATO-s, shpenzoni mbi 2% të PBB-së tuaj në mbrojtje dhe investoni në aftësi të reja moderne,” tha ai. Ata diskutuan luftën e paligjshme të Rusisë në Ukrainë dhe forcimin e vazhdueshëm të parandalimit dhe mbrojtjes nga NATO, në përgjigje të krizës më të madhe të sigurisë në një brez. Sekretari i Përgjithshëm theksoi se prania e fortë e NATO-s në Poloni ndihmon në parandalimin e agresionit. “Së bashku, ne dërgojmë një mesazh të qartë, kështu që nuk mund të ketë vend për llogaritje të gabuara në Moskë. NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të Polonisë dhe të gjithë territorit aleat.”

Sekretari i Përgjithshëm përgëzoi Poloninë për luajtjen e një roli udhëheqës në vazhdimin e përpjekjeve për të ofruar ndihmë për Ukrainën, me pajisje dhe trajnime të rëndësishme ushtarake, si dhe ndihmë humanitare dhe ekonomike. Ata diskutuan gjithashtu rolin e Bjellorusisë në luftën e Rusisë, pasi Bjellorusia vazhdon të presë dhe të mbështesë forcat ruse duke thelluar integrimin e saj politik dhe ushtarak me Rusinë. “Ne i bëjmë thirrje Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit të saj,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s./”Ushtria”

 

Fraksion.com