AktualitetBota+Op-EdTë fundit

Putin mban fjalim para kombit: Në çka të fokusoheni?

Vjen vetëm tri ditë para përvjetorit të parë të luftës së paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe një ditë pas vizitës së papritur të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev.

Biden e ka konsideruar luftën e Moskës në Ukrainë si sulm “brutal” ndaj një shteti sovran.

Në Moskë duket se së fundi ka pasur shume zhvillime.

Kushtetuta e Rusisë i kërkon presidentit të mbajë fjalim para Parlamentit çdo vit, diçka që Putin nuk e ka bërë prej prillit të vitit 2021.

Edhe dy dhomat e Parlamentit të Rusisë do të mbajnë ato që janë prezantuar si sesione të paplanifikuara, të përcjella me marsh masiv dhe koncert në Moskë – shenja që tregojnë se mund të ndodhë diçka.

Mirëpo në fjalimet tjera, qoftë para apo pas nisjes së luftës, Putin ka përsëritur disa herë narrativa të rreme për Ukrainën dhe e ka kritikuar Uashingtonin dhe Perëndimin, pa thënë diçka të re apo diçka që pasqyron synimet e tij për të ardhmen.

Prandaj, pa dhënë shenja për dhënie fund të luftës në Ukrainë dhe me shtypje të të gjitha formave të pakënaqësive në Rusi, fjalimi i Putinit mund të mos prodhojë shumë substancë.

Në vazhdim janë renditur disa gjëra që duhet t’i dini për fjalimin e 21 shkurtit.

Përshkallëzimi

Pas zmbrapsjeve ushtarake të vitit të kaluar dhe humbjes së territorit ukrainas që e kanë fituar forcat ruse në fillim të luftës, Rusia është duke zhvilluar një ofensivë të re në lindje të Ukrainës, kryesisht në Donbas – rajoni i përbërë nga Donjecku dhe Luhansku – ku janë shtuar sulmet në fund të muajit janar.

Analistët ushtarakë kanë thënë se Rusia nuk i ka punët mirë, pasi është duke u përballur me humbje të mëdha dhe me fitore të vogla e graduale.

Ukraina ende e ka kontrollin e qytetit të Bahmutit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, derisa numri i madh i viktimave në betejën për qytezën Vuhledar ka vënë në pah problemet me të cilat përballet ushtria ruse.

Ka pasur edhe sugjerime se Rusia mund të nisë ofensivë të re të shkallës së gjerë në muajt në vazhdim, duke dërguar më shumë trupa në Ukrainë me qëllim të fitoreve të reja, pavarësisht zmbrapsjeve – ku përfshihet dështimi për të kontrolluar Kievin në javët e para të luftës dhe problemet me organizim dhe moralin e ulët të ushtarëve.

Putin mund të jetë i etur për të bërë deklarata bindëse kundrejt atyre të Bidenit, pasi vizita e tij e papritur në Kiev është parë si mbështetje për Ukrainën dhe qortim për presidentin rus.

“Kur Putini e ka nisur luftën gati një vit më parë, ai ka menduar se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i ndarë. Ai ka menduar se mund të na e kalonte neve. Mirëpo e ka pasur shumë gabim”, ka thënë Biden në një deklaratë të lëshuar më 20 shkurt, pa e përmendur emrin dhe titullin e Putinit.

Shumë analistë besojnë se sfidimi i Perëndimit është pikërisht çfarë Putini shpreson të bëjë.

Sipas tyre, ai është duke shpresuar në zbehjen e mbështetjes së Perëndimit ndaj Ukrainës, ashtu që Rusia të ngre kokën herët apo vonë.

Zmbrapsje apo vija të kuqe?

Ka shumë pak mundësi që Putin të tregojë ndonjë shenjë zmbrapsjeje, e aq më pak që të flasë drejtpërdrejt për koncesionet.

Betejat më të ashpra dhe zmbrapsjet e rënda të vitit të kaluar, si dhe mundësitë që forcat ushtarake ruse të largohen edhe më tepër prej territoreve ukrainase, e kanë heshtur atë në kohën e fundit.

Përveç kësaj, nëse Rusia shpreson se do të gjunjëzojë Ukrainën dhe Perëndimin, do t’i duhet të luftojë për muaj apo vite, ndërkohë që duket se Putini nuk shqetësohet për numrin e viktimave në mesin e ushtrisë së tij.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, më 18 shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ekspertët kanë vlerësuar që rreth 200.000 trupa ushtarake ruse mund të jenë vrarë apo plagosur.

Kievi, në anën tjetër, po synon të rikthejë kontrollin e gjithë territorit, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar dhe e konsideron pjesë të saj prej vitit 2014.

Mirëpo edhe nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje që përfshin heqjen dorë nga ndonjë pjesë e territorit që Rusia e ka pushtuar, Putin do të përballej me vendimet e veta.

Në muajin shtator, ai i ka shpallur zyrtarisht rajonet ukrainase Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson si pjesë të Rusisë, ndonëse asnjëra nuk kontrollohet plotësisht nga forcat ruse.

Prandaj, sikurse tërheqja e forcave ruse nga Hersoni në nëntor, edhe braktisja e këtyre rajoneve nga Putini do të përbënte shkelje kushtetuese.

Më shumë gjasa sesa zmbrapsja, mund të ketë ultimatum i ri për Kievin dhe Perëndimin, një përpjekje për të vendosur “vija të reja të kuqe” apo edhe kërcënimet për pasoja konkrete nëse shkelen vijat e kuqe aktuale.

Luftës së nisur në shkurt të vitit 2022 i ka paraprirë një retorikë e çuditshme për heqjen e sovranitetit të Ukrainës, çka do të ndryshonte thellësisht situatën, pas rënies së ish-Bashkimit Sovjetik 30 vjet më parë.

Mirëpo duke marrë parasysh humbjet e Rusisë përgjatë një viti dhe zotimet e Bidenit dhe liderëve perëndimorë për ta përkrahur Kievin “aq sa të ketë nevojë”, Putin mund ta ketë të vështirë ushtrimin e presionit.

Çështjet bërthamore

Putin dhe zyrtarë tjerë rusë, sidomos ish-presidenti Dmitry Medvedev, kanë përmendur me raste edhe kërcënimet për përdorim potencial të armëve bërthamore, teksa kanë folur për luftën në Ukrainë.

Këto kërcënime janë komentuar si mënyrë e Moskës për ta mbajtur Perëndimin të hamendësuar për qëllimet e saj në luftë.

Ndonëse zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk shohin shenja se Rusia është duke u përgatitur për të përdorur armën bërthamore, dhe analistët besojnë se diçka e tillë do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për Rusinë, pak zyrtarë në Perëndim e heqin krejtësisht nga lista këtë mundësi.

Përtej Ukrainës

Planet për marsh të madh në Moskë dhe sesione speciale parlamentare në ditën e adresimit të Putinit, mund të sugjerojnë se Putin do të bëjë publike diçka të re, në stilin e formalizimit të pushtimit të Krimesë – sipas syve të Moskës – më 2014.

Media shtetërore ka thënë se trupi legjislativ do të miratojë ligje të reja lidhur me katër rajonet ukrainase që Rusia i konsideron të vetat, prandaj ka mundësi që në fjalimin e Putinit të përmendet edhe kjo çështje.

Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se Kievi dhe Perëndimi duhet ta pranojnë se këto rajone dhe Krimeja tani janë pjesë e Rusisë.

Kievi dhe Perëndimi, në anën tjetër, janë zotuar se nuk do t’i njohin kurrë këto territore si ruse.

Ka edhe spekulime se Putin do ta shfrytëzojë rastin për ta sjellë Bjellorusinë më afër Rusisë ose për ta futur atë në luftë – ose për të krijuar një ndryshim në statusin e Osetisë Jugore dhe Abhazisë, rajoneve separatiste të Gjeorgjisë të pushtuara nga Rusia, të cilat Moska i ka shpallur të pavarura, por nuk ka tentuar t’i aneksojë.

Udhëheqësit de facto të Abhazisë dhe Osetisë Jugore pritet të jetë pjesë e audiencës së 21 shkurtit.

Mesazhe për rusët

Ndonëse Putin e shfrytëzon fjalimin e tij para kombit dhe organizimet tjera për t’i çuar mesazh botës dhe Perëndimit, ai natyrisht se u flet edhe rusëve, në kërkim të mbështetjes, si dhe bën thirrje për unitet.

Putin “ka nisur luftë agresive kundër Ukrainës nën disa pretekste qesharake. Ai është duke tentuar që t’i japë kësaj lufte statusin e luftës së popullit, për t’i përfshirë të gjithë shtetasit e Rusisë në të”, ka thënë lideri i burgosur opozitar në Rusi, Aleksei Navalny, përmes një postimi në Twitter më 20 shkurt.

Në adresimin e 21 shkurtit, ai pritet të flasë për ekonominë ruse, duke pretenduar se ka qenë e qëndrueshme përballë sanksioneve perëndimore, si dhe të çojë përpara idenë se Rusia nuk është duke luftuar për ta nënshtruar Ukrainën, por është duke luftuar kundër Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, të cilat pretendon, pa fakte, se po e përdorin Kievin për ta shkatërruar Rusinë.

Ka mundësi që Putin të diskutojë edhe çështjen e rritjes së pakënaqësive ndaj tij, sidomos prej nisjes së luftës, por ka pak apo aspak mundësi që të japë dorëheqje.

Në mesin e temave tjera, audienca e brendshme mund të jetë e interesuar të kuptojë nëse Putin do të shpallë konfliktin në Ukrainë, të cilin e quan “operacion special ushtarak”, zyrtarisht si luftë, dhe nëse planifikon mobilizim të ri ushtarak, sikurse ai i shtatorit, që ka rezultuar me rekrutimin e 300.000 burrave për t’i nisur në luftë.

Kjo thirrje ka nxitur ikjen më të madhe të rusëve nga territori i Rusisë, prej 24 shkurtit të vitit 2022 – dita kur ka nisur lufta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në Mynih që “më shumë se 1 milion rusë” kanë nisur nga shteti, sepse nuk dëshirojnë të jenë pjesë e luftës dhe as e drejtimit të cilin e ka marrë shteti”.

Sikur edhe organizime tjera të ngjashme të Putinit, fjalimi i tij zgjon kureshtje edhe për planet e tij politike në të ardhmen.

Adresimi i tij vjen 13 muaj para se shteti të mbajë zgjedhjet e ardhshme presidenciale – në mars të vitit 2024 – dhe pas amendamenteve kushtetuese që ia mundësojnë Putinit garën edhe për dy mandate tjera gjashtëvjeçare në pozitën e presidentit./REL

 

Fraksion.com