Policia vijon kontrollet për ndërtimet e paligjshme
Policia e Shtetit ka vijuar punën për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje në vend.
Në njoftimin për mediet policia bën të ditur se në zbatim të planit të veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrollit të territorit, në lagjen “Uji i ftohtë”, kanë evidentuar një rast të punimeve të ndërtimit, në një objekt në të cilin organet kompetente kishin pezulluar punimet.
Policia arrestoi në flagrancë 3 persona duke kryer punime në një objekt në të cilin ishin pezulluar punimet, konkretisht administratorin dhe 2 punonjës të firmës së ndërtimit.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim pronarin e firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh.
“Në vijim të veprimeve për këtë rast u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. F., 41 vjeç, administrator i firmës së ndërtimit që po kryente punimet, P. M., 46 vjeç dhe B. T., 19 vjeç, të dy punëtorë të kësaj firme ndërtimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë..
Gjatë kontrollit të territorit nga Policia, këta shtetas janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi në një objekt 4-katësh, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në kundërshtim me vendimin e autoriteteve kompentente, të cilat kishin pezulluar punimet në këtë objekt.
Pronari i firmës së ndërtimit që po kryente punimet në objektin 4-katësh, shtetasi A. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, u shpall në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Fraksion.com