AktualitetKosovaTë fundit

Pjesëtarët e FSK-së kthehen nga Turqia, priten në aeroport nga Kurti

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer të hënën në mbrëmje në Kosovë nga Turqia, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 40.000 njerëz.

Në aeroport ata janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.

Kosova, duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije ka prezentuar me një personel prej 48 anëtarësh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që të nxjerrin të gjallë katër persona të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit, janë nderuar me medalje, pak minuta pas kthimit të tyre në Kosovë.

Medaljet, për të cilat ka dhënë urdhër komandanti i FSK-së, janë ndarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë tjerë të institucioneve të Kosovës. /KosovaPress

 

Fraksion.com