AktualitetTë fundit

Arrestohen 6 punonjës policie, lejuan kalimin në kufi të të shpallurve në kërkim

Drejtoria e Hetimit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 6 punonjës të policisë në Portin e Durrësit të cilët akuzohen nga prokuroria për “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.

Në njoftimin zyrtar, Agjencia e Mbikqyrjes Policore bën të ditur se ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Durrësit e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg ndaj 6 efektivëve të policisë me detyrë kontrollorë në Stacionin e Policisë në pikën e kalimit kufitar në Portin e Durrësit.

Gjykata ka vendosur arrest me burg ndaj inspektorëve K. S., 57 vjeç,  L. Ç., 32 vjeç, M. F., 30 vjeç, N. K., 60 vjeç, I. V., 28 vjeç dhe  E. M., 48 vjeç.

Nga hetimet e kryera rezulton se punonjësit e mësipërm të policisë lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro.

Këto ndërveprime korruptive të dokumentuara gjatë hetimeve, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, duke përfshirë raste të lejimit të kalimit të shtetasve të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, apo automjeteve që nuk i nënshtroheshin regjimit doganor.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart.

Ndërkaq vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

 

Fraksion.com