51 viktimat nga sulmi xhihadist ndaj ushtrisë në Burkina Faso
Numri i viktimave nga një sulm xhihadist ndaj një njësie ushtarake në Burkina Faso gjatë javës së kaluar ka lënë 51 të vdekur njoftuan zyrtarët ushtarakë të hënën, pasi gjetën 43 kufoma të tjera.
Njësia ushtarake u sulmua në provincën Oudalan, të rajonit Sahel, mes qyteteve Deou dhe Oursi, njoftoi ushtria të hënën. Në zonë janë dërguar tashmë përforcime dhe një numër i paqartë të plagosurish janë dërguar në spital.
Vendi i ndodhur në Afrikën Perëndimore është tronditur prej shtatë vitesh nga dhuna e lidhur me al-Kaidën dhe grupin Shteti Islamik, që kanë vrarë mijëra persona, kanë zhvendosur rreth 2 milionë njerëz dhe kanë shkaktuar një krizë humanitare.
Dështimi i disa qeverive të njëpasnjëshme për ta trajtuar këtë problem shkaktoi dy grushte shteti gjatë vitit të kaluar, gjatë të cilave drejtuesit ushtarakë zotoheshin të ndalnin sulmet dhe të siguronin vendin, megjithëse nuk kanë patur sukses.
Sulmi i javës së kaluar u bë ndërsa rreth 400 ushtarë të forcave speciale franceze po largoheshin nga Burkina Faso, një muaj pasi qeveria e juntës ushtarake i urdhëroi ata të largoheshin – duke ndjekur rrugën e Malit fqinj, i cili gjithashtu sundohet nga një diktaturë ushtarake.
Ndërsa numri i trupave franceze në Burkina Faso ishte shumë më i vogël se në Mali, largimi i tyre shton shqetësimet në rritje se ekstremistët islamikë po përfitojnë nga rrëmuja politike dhe po e përdorin atë për të zgjeruar shtrirjen e tyre.
Analistët kanë vënë në pikëpyetje nëse ushtritë e këtyre vendeve janë të afta të mbushin boshllëkun.
“Përpjekjet e forcave shtetërore për të shmangur sulmet vdekjeprurëse, veçanërisht një pritë të tillë ndaj autokolonave, është një shqetësim i madh pasi vjen në një kohë kur shteti po përpiqet të forcojë praninë e tij dhe të dëbojë xhihadistët nga zonat që ata kontrollojnë”, tha Rida Lyammouri, nga Qendra e Politikave për Jugun e Ri, një institut kërkimor me seli në Marok.
“Nëse autokolonat sulmohen në mënyrë të përsëritur, rikuperimi i territoreve dhe sigurimi i mbrojtjes për civilët do të marrë një kohë shumë të gjatë dhe do të shoqërohet me viktima”, shtoi zoti Lyammouri./voa
Fraksion.com