Presidenti Biden në Kiev, gjysmë miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën
Presidenti Joe Biden bëri një vizitë të paparalajmëruar sot në Ukrainë për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, një gjest solidariteti që vjen disa ditë para njëvjetorit të nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Në Kiev, presidenti amerikan njoftoi për një ndihmë prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë nga SHBA, përfshirë predha, raketa antitank, radarë të mbikëqyrjes ajrore dhe ndihma të tjera, por jo armatime të reja të avancuara. Banorët e Kievit thanë se mbetën ‘pa fjalë’ dhe ishin ‘të gëzuar’ pas vizitës së papritur të presidentit Biden.
Misioni i presidentit amerikan me vizitën në Kiev, e cila u bë përpara një udhëtimi të planifikuar në Poloni, ishte të theksonte se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për të zmbrapsur forcat ruse.