46 mijë viktima nga tërmeti Turqi: Pamje tragjike, tullumbace të kuqe në rrënoja për fëmijët e vrarë
Vullnetarët në Turqi kanë vendosur tullumbace të kuqe mbi rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit, për të kujtuar fëmijët që humbën jetën.
Të udhëhequr nga fotografi Ogun Sever Okur, ata u ngjitën në rrënojat në Hatay dhe vendosën tullumbace në telat metalikë që dilnin nga grumbujt e mbeturinave.
“Doja që kjo nismë të konsiderohej si ‘dhurata ime e fundit për fëmijët’. Ne ende po u japim dhurata fëmijëve në Hatay, por donim të përmbushnim detyrën tonë të fundit ndaj këtyre engjëjve dhe këtë aktivitet po e kryejmë me balona”, u shpreh Okur.
“Besomëni, sa herë që lidhim një tullumbace më dhemb zemra. Deri tani kemi lidhur 1000-1500 tullumbace, është e dhimbshme”, shtoi ai.
Në total, më shumë se 46.000 persona- 41.044 në Turqi dhe 4.966 në Siri, kanë gjetur vdekjen nga lëkundjet shkatërrimtare të tokës. Mbi një milion të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe sipas parashikimeve, kostoja ekonomike e shkaktuar nga tërmeti mund të arrijë në miliarda dollarë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti të dielën në Turqi për një vizitë zyrtare e zhvilloi diskutime me autoritetet turke mbi ndihmën e mëtejshme të Uashingtonit për Ankaranë.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar tashmë në Turqi një ekip për operacionet e kërkim-shpëtimi, medikamente mjekësore, makineri për thyerjen e betonit si dhe fonde shtesë prej 85 milionë dollarësh në ndihma humanitare që mbulojnë gjithashtu edhe Sirinë.
Blinken tha se Uashingtoni do të ofrojë edhe 100 milionë dollarë të tjerë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Vizita e parë e tij në cilësinë e Sekretarit të Shtetit ishte diçka për të cilën po punohej prej kohësh, por ajo vjen dy vjet pasi ai mori detyrën.
Në krye të agjendës së Blinkenit në Ankara është edhe çështja e anëtarësimit në NATO, e Suedisë dhe Finlandës.
Deri tani Turqia ka refuzuar të ratifikojë protokollet e pranimit të tyre në aleancë, duke thënë se Stokholmi në veçanti, ka strehuar ata që Ankaraja i quan anëtarë të grupeve terroriste.
Fraksion.com