Sot 15-vjetori i Pavarësisë, Berisha: Kosova, vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në të gjitha trojet
Kryetari i Partisë Demokratike e nisi konferencën e përjavshme për shtyp me një urim për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ai vlerësoi figurën e ish Presidentit, Ibrahim Rugova dhe heroit kombëtar Adem Jashari në pavarësinë e Kosovës.
“Pas pavarësisë së Shqipërisë, pavarësia e Kosovës shënon ditën më të rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve. Është kjo ditë që shënon lirinë për të gjithë shqiptarët, në sensin që një komb që ka pjesë të tij të robëruara, nuk mund të jetë kurrë i lirë. Pavarësia e Kosovës është dëshmi e shpirtit të pamposhtur të qytetarëve të saj. Kosova është një trevë në të cilën deri në vitin 1999 është derdhur gjak, janë bërë luftërat më të mëdha se në çdo trevë tjetër të kontinentit. Pavarësia e Kosovës është vepër e presidentit vizionar Ibrahim Rugova, i cili me guxim të jashtëzakonshëm, me vizion të madh thuri dhe ndërtoi në ndërgjegjen, shpirtin, zemrën e qytetarëve të Kosovës, pavarësinë e këtij vendi”, tha Berisha.
Sipas tij “pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili vendosi në historinë e shqiptarëve kulmin e guximit dhe sakrificës, është vepër e luftëtarëve të UÇK-së. Mbarë kombi kontribuoi në pavarësinë e Kosovës. Shqipëria luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm. Sot çdo shqiptar feston me krenari 15 vjetorin e republikës së pavarur të Kosovës. Në këto 15 vite Kosova ka shënuar suksese mahnitëse, arritje të mëdha. Kosova është sot shteti me të drejtat e pakicave më të respektuara në rajon. Kosova sot është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në të gjitha trojet e tyre”.
***
Ish-kryeministri Sali Berisha iu është bashkuar mesazheve me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në një reagim, Berisha theksoi se shqiptarët sot kremtojmë 15 vitet e para në historinë tonë shekullore si një komb në liri, mbasi liria kombëtare është një dhe e pandarë.
Sipas Berishës, Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitektit te saj, politikanit mendjendritur të kombit shqiptar, Presidenti Ibrahim Rugova, Gandit Ballkanik dhe Europës që thuri tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur.
Mesazhi i Berishës:
Shkrim nga Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Të dashur miq, sot shqiptarët në Kosovë, dhe kudo që janë në mbarë botën, festojnë 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës si ditën e dytë më të madhe të lirisë se tyre pas pavarësisë së Shqipërisë. Por ne shqiptarët sot kremtojmë 15 vitet e para në historinë tonë shekullore si një komb në liri, mbasi liria kombëtare është një dhe e pandarë.
Kosova e lirë dhe e pavarur ka në themel shpirtin e pamposhtur të qytetarëve të saj ndaj barbarive dhe gjenocidit ciklik serb, ka luftërat, gjakun, qëndresën epike dhe sakrificën sublime të qindra e mijëra martirëve të saj që luftuan dhe ranë për tu bërë të pavdekshëm për liri dhe dinjitet kombëtar nga vitet 1870 në vitet 1999, ka luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të saj, komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë, si faqja më e ndritur në historinë e luftërave të kombit tonë pas atyre të prijësit të përjetshëm të shqiptarëve, Skënderbeut.
Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitektit te saj, politikanit mendjendritur të kombit shqiptar, Presidenti Ibrahim Rugova, Gandit Ballkanik dhe Europës që thuri tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike, njeriut të civilizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe që themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbar.
Presidenti Rugova paraqiti dhe mbrojti me vendosmëri dhe vizion në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të botës çështjen e drejtë të popullit të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Ai arriti ta shndërrojë këtë kauz në çështje kryesore të axhendës të SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!
Pas lufte, ai me urtësi dhe vizion hodhi themelet e shtetit të sotëm të pavarur, demokratik properëndimor të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari që i la kombit të tij kreshtën e trimërisë, heroizmit dhe sakrificës si dhe heronjve të tjerë të pavdekshëm dhe dhjetëra mijëra luftëtarëve të lirisë që me guximin, heroizmin, sakrificën e tyre bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë dhe çliruan Kosovën.
Pavarësia e Kosovës është vepër e shqiptarëve në rajon dhe kudo në botë që moton ‘Një komb një qëndrim’ u bashkuan si një trup i vetëm, dhe Shqipëria pas çlirimit të saj nga diktatura hoxhiste luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm!
Por Kosova u bë e lirë dhe e pavarur vetëm falë mbështetjes së fuqishme dhe rolin përcaktues të SHBA, të Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Klinton dhe Presidentit George W. Bush, vendeve të mëdha të perëndimit dhe vendeve anëtare të NATO-s në Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës! Sot në këtë 15 vjetor me arritjet e saj mahnitëse për një kohë të shkurtër si vend i pavarur, Kosova bënë krenar çdo shqiptar. Ajo sot është një demokraci funksionale që ka konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe ka arritur standartet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave në rajon.
Ajo u ngrit si feniksi nga hiri dhe shkrumbi që lënë pushtuesit dhe ka sot një ekonomi solide në rritje, ka ndërtuar infrastrukturën më moderne në rajon. Kosova është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në trojet e tyre. Ajo në këto vite ka bërë emër botëror me talentin e rrallë dhe zërin magjeps të çikave të saj dhe shkëlqimin e mbretëreshave të saj në sport. Kosova këto vite është përballur me shantazhe, provokime të serbomëdhenjve të Beogradit dhe vasalëve të tyre, por ka qëndruar gjithnjë një faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.
Të dashur miq, duke uruar nga zemra, Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe mbarë shqiptarëve 15 vjetorin e Pavarësisë, ju ftoj të përulemi me nderimin më të madh dhe mirënjohjen tonë më të pakufishme para sakrificës së qindra e mijëra martirëve të saj, luftëtarëve të lirisë, që luftuan e flijuan jetën dhe rininë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para veprës së pavdekshme të arkitektit të pavarësisë së Kosovës Presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe të falënderojmë me mirënjohjen më të thellë SHBA dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s që me ndërhyrjen e tyre luajtën rol përcaktues në çlirimin e saj. Gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe miqtë e tyre!
Fraksion.com