AktualitetPolitikëTë fundit

Muzeu “Besa”, Rama: Shpëtimi i hebrenjve, faqe e lavdishme e historisë së shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot Muzeun “Besa”, një projekt që i hap udhë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe të historisë, traditës, kulturës dhe artit hebraik.

Në fjalën e tij në shpalljen e konkursit ndërkombëtar për projektin e Muzeut “Besa”, Rama tha se “Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se përpara saj. Është një vend siç tregon i gjithë dokumentacioni historik, banorët nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët”.

“Historitë e shpëtimit të hebrenjve nga familje të zakonshme myslimane, të krishtera, vetë kleri katolik janë një arkiv i tërë skenarësh për filma që padiskutim do rrinin me shumë dinjitet krah për krah Schindler’s List dhe kryeveprave të tjera të kinematografisë të bazuara në një historitë e vërteta, bazuar në një prej kasaphanave më të jashtëzakonshme të njerëzimit holokaustit të tmerrshëm”, nënvizoi Rama.

Shqipëria, vijoi Rama, falë kësaj historie të shkruar nga njerëzit e saj është pagëzuar me titullin e drejtë mes vendeve, The Righteous Among the Nations.

“Ashtu sikundër shumë shqiptarë janë pagëzuar të tillë nga shteti i Izraelit dhe historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është pjesë e koleksionit të tmerrit dhe të lavdisë së sakrificës njerëzore në Yad Vashem. Pavarësisht të gjitha këtyre ne nuk e kemi ende të shenjuar këtë histori në trupin e vendit tonë si një sinjalistikë urbane dhe arkitektonike. Tani kemi nisur dhe fatmirësisht nuk nuk është kjo vepra e parë, kjo është e dyta pasi më parë me Fondin Shqiptar Amerikan kemi nisur “Muzeun e Hebrenjve” në Vlorë. Vlora ishte zona me përqendrimin më të madh të komunitet hebre në lagjen e vjetër, sot të rilindur të Muradies, kemi identifikuar një godinë të bukur dhe të përshtatshme dhe me një konkurs të përbashkët me fondin kemi përcaktuar edhe studion që është në një fazë të avancuar të projektit ekzekutiv për të filluar nga puna”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se “nëse në rastin e Vlorës kemi një muze të historisë së shpëtimit të hebrenjve, këtu kemi ambicien të shkojmë përtej të kemi një vepër arkitektonike të kombinuar mes kësaj shtëpie tradicionale, një monument kulture në rrezik që i shtohet listës së monumenteve të shpëtuara të kulturës, që është një listë shumë e gjatë dhe një hapësire moderne që do ta konceptojnë arkitektët, e cila do të shërbejë si një hapësirë e kulturës traditës historisë e artit librit hebraik dhe për të cilën kemi nisur bisedimet me qeverinë e Izraelit”.

Kreu i qeverisë e konsideroi këtë muze një destinacion të ri në qytet për të gjitha ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të shqiptarëve, por edhe për të rinjtë, për punëtorët e mendjes në të gjitha fushat, që kanë dëshirë të njihen nga afër me zhvillimet dhe momentet e caktuara të historisë së shtetit të Izraelit.

“Është një hapësirë e kombinuar ku shtëpia me sekretet e shpëtimit të hebrenjve është qendra e gravitetit të këtij projekti. Na krijohet mundësia që të dokumentojmë, të arkivojmë të kemi një punë të mirëfilltë shkencore, e cila nuk nis as me muzeun në Vlorë, as këtu, por ka nisur prej kohësh. Mund të përmend me shumë respekt profesor Shaban Sinani, i cili është një qëmtues shumë i përkushtuar dhe shumë i vëmendshëm i kësaj historie, autor i disa veprave me shumë rëndësi dhe të tjerë që janë të lidhur me Akademinë tonë të Shkencave që do të jenë një mbështetje shumë e rëndësishme për t’i dhënë jetën e përditshme këtij muzeu, i cili jo thjesht do të mbledhë e ekspozojë dokumentet e imazhet filmike, por do t’i shërbejë atyre që duan të hyjnë më thellë me më shumë informacion”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “më vjen shumë mirë që e shpallim sot këtë konkurs, me të gjitha kushtet për të pasur arkitektë dhe studio prestigjioze, siç faktikisht na ka ndodhur me konkurset tona ndërkombëtare. Jam i bindur që sot hedhim dhe një hap shumë të rëndësishëm pa kthim për ta parë të realizuar këtë vepër, e cila do t’i shërbejë siç e thashë pak më parë dhe është e rëndësishme edhe shpëtimit të një tjetër objekti të rëndësishëm trashëgimisë sonë kulturore në një zonë ku sapo kemi shpëtuar sarajet e famshme të Toptanëve që ishin një shënjestër e kuptueshme e dëshirës për të prishur e për të ndërtuar.”

“Dhe krejt ndryshe nga çfarë thuhet edhe stërthuhet ne mund të jemi vërtetë shumë të lehtësuar në raport me historinë tonë dhe në raport me të gjithë paraardhësit tanë në këto detyra sepse i kemi dhënë realisht jo vetëm vëmendje, por edhe një mbështetje të rëndësishme gjithë operacionit të shpëtimit të monumenteve tona të kulturës, gjithë operacionit të shpëtimit të asaj që është një pasuri, e cila deri dje ishte mall pa zot edhe plaçkë për t’u marrë edhe për t’u përdorur për qëllime krejt të tjera. Kështu që, për të gjitha këto arsye, ky konkurs është një tjetër moment i rëndësishëm në aktivitetin e Ministrisë së Kulturës dhe natyrisht edhe në bashkëpunimin e pandarë me bashkinë e Tiranës që do të garantojë, pra ky bashkëpunim, suksesin e këtij projekti”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh besimplotë që nuk do të jetë e largët dita kur do të mblidhen përsëri për të hapur kantierin e kësaj vepre dhe pastaj për të çelur këtë qendër të re kulturore dhe historike për qytetin.

Konkursi për Muzeun “Besa” do të zhvillohet në dy faza: Në fazën e parë të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në fund të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë skuadrat dhe konceptet më të mira, të cilët do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë.

Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e 5 ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues. Juria e konkursit do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ekspertë vendas dhe të huaj me përvojë në fushën e arkitekturës, muzealizimit, kurimit të ekspozitave etj.

 

Fraksion.com