AktualitetKosovaTë fundit

Blinken uron 17 Shkurtin, rikonfirmon partneritetin SHBA-Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e shtetësisë, dhe ka rikonfirmuar partneritetin mes dy vendeve.

Ai ka thënë pret vazhdim të bashkëpunimit për forcim të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, është thelbësor për këtë gjë. Marrëveshja e propozuar së fundi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen tonë të madhe dhe ajo do të drejtojë shtetin tuaj drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe integrimeve evropiane e euro-atlantike”, ka thënë Blinken.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

 

Fraksion.com