AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Nis hetimi i objekteve fluturuese

SHBA e justifikoi rrëzimin e objekteve fluturuese të paidentifikuara, se ato përbënin rrezik për udhëtimin ajror civil. Administrata e Bidenit tha gjithashtu se nuk kishte “asnjë shenjë” se ballonat u takojnë alienëve.

Zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, e justifikoi në një konferencë shtypi rrëzimin e tri objekteve fluturuese të paidentifikuara ditët e fundit, duke thënë se ato përbënin rrezik për udhëtimin ajror civil.

Më 4 shkurt SHBA rrëzuan për herë të parë një objekt që besojnë se është një “ballonë spiune” kineze. Gjatë fundjavës, ushtria amerikane rrëzoi tri objekte të tjera të paidentifikuara fluturuese që u zbuluan mbi hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut.

Kirby dha më shumë detaje mbi operacionet e fundit, duke thënë se qeveria e SHBA.së “nuk mund ta përjashtojë” mundësinë që objektet e paidentifikuara po kryenin vëzhgime.

“Ne nuk e dimë me siguri nëse ato përmbanin edhe një aspekt survejimi, por nuk mund ta përjashtojmë këtë”, tha ai. Ai tha se vendimet e SHBA-së për të rrëzuar objekte të paidentifikuara “bazohen thjesht dhe vetëm në atë që është në interesin më të mirë të popullit amerikan”.

Jo ufo apo alienë

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se nuk ka “asnjë shenjë” se pas objekteve të paidentifikuara së fundi mbi SHBA fshihen aktivitete alienësh.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se problemi i objekteve të paidentifikuara përbën një “situatë shumë serioze”. Ai tha se grupet e shpëtimit janë duke analizuar objektet ajrore të rrëzuara mbi Amerikën e Veriut dhe në territorin veriperëndimor të Kanadasë, në Yukon.

Shkatërrohet balona kineze, Oqeani Atlantik, Karolina JugoreShkatërrohet balona kineze

Shtëpia e Bardhë: Kina ka program spiunimi ajror

Shfaqja e ballonave kineze mbi territorin e SHBA-së në fillim të këtij muaji, ndezi shqetësimet për veprimtari spiunazhi dhe vëzhgimi të zonave të ndjeshme ushtarake në SHBA.

Shtëpia e Bardhë tha se ka verifikuar që Kina ka një program vëzhgimi ajror që është i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA), por tha se nuk i ka identifikuar ende objektet fluturuese të rrëzuara së fundmi.

Pekini, ndërkohë, tha se SHBA ka lëshuar vitin e kaluar 10 balona mbi hapësirën ajrore kineze. Kirby tha se “në hapësirën ajrore kineze nuk kishte pasur asnjë avion mbikëqyrës amerikan “.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken mund të takohet me diplomatin e lartë kinez Wang Yi gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut që zhvillohet këtë javë për të biseduar për ballonat./DW

 

Fraksion.com