AktualitetBota+Të fundit

Rusia fillon ofensivën e re ndaj Ukrainës

Qyteti Bakhmut, në lindje të Ukrainës, pësoi të hënën sulme të rënda me artileri. Ushtria ukrainase njoftoi se pati sulme me artileri dhe tanke ndaj 16 vendbanimeve në këtë zonë.

Luftëtarët ukrainas, të cilët kanë mbajtur pozicionet e atjeshme prej muajsh, po përgatiten tashmë për sulme të reja tokësore, thanë zyrtarët ushtarakë ukrainas.

Qyteti Bakhmut është një objektiv parësor për Presidentin rus Vladimir Putin. Kapja e këtij qyteti do t’i jepte Rusisë një tjetër pjesë të rajonit Donetsk dhe një fitore të rrallë pas disa muajsh në disavantazh.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se përdorimi nga Ukraina i municioneve në luftën kundër Rusisë, po tejkalon ritmin e furnizimeve dhe se aleanca duhet të rrisë prodhimin për të plotësuar nevojat e Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke folur për mediat në Bruksel (13 shkurt 2023)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke folur për mediat në Bruksel (13 shkurt 2023)

Zoti Stoltenberg gjithashtu tha se një ofensivë e re madhore e Rusisë në Ukrainën lindore tashmë ka filluar, ndërkohë që po afrohet përvjetori i parë i fillimit të sulmit të forcave ruse.

“Është e qartë se jemi në një garë logjistike”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Bruksel. “Kapacitete kryesore si municioni, karburanti dhe pjesët e këmbimit duhet të arrijnë në Ukrainë përpara se Rusia të ketë marrë iniciativën në fushëbetejë. Shpejtësia do të shpëtojë jetë”, theksoi ai.

Zoti Stoltenberg i bëri komentet një ditë përpara takimit të nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që pritet të mbahet në kryeqytetin belg.

Thirrjet e NATO-s për rritjen e prodhimit të municioneve pritet të dominojnë bisedimet. Zoti Stoltenberg tha se do të diskutohet edhe çështja e debatueshme e ofrimit të avionëve modernë luftarakë për Ukrainën.

Gjatë një turi vizitash në Evropë javën e kaluar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Britanisë dhe aleatëve të tjerë perëndimorë që ta pajisin Ukrainën me avionë luftarakë për luftën ndaj Rusisë.

Ndër çështjet kryesore në axhendën e takimit do të jetë mbrojtja e qiejve ukrainas, zgjerimi i “koalicionit të tankeve”, përcaktimi i një pragu sigurie për municionet, programet e stërvitjes për forcat ukrainase, si dhe stabiliteti i mbështetjes ushtarake, njoftoi Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili do të marrë pjesë në takim.

Donetsku dhe Luhansku janë pjesë e rajonit Donbas, që është zemra industriale e Ukrainës dhe që tashmë është pjesërisht i pushtuar nga forcat ruse, që dëshirojnë kontrollin e plotë të tij.

Sulmi rus ndaj qytetit Bakhmut kryesohet nga mercenarët e grupit paraushtarak Wagner. Rikthimi i bombardimeve ruse e ka bërë situatën edhe më të tensionuar.

“Qyteti, rrethinat e qytetit, i gjithë perimetri i Bakhmutit dhe Kostyantynivkas janë duke u bombarduar në një mënyrë kaotike”, tha Volodymyr Nazarenko, zëvendës komandant i batalionit ukrainas “Svoboda”.

Njerëzit gjunjëzohen ndërsa kthehet me arkivol trupi i Oleksandr Maksymenko, 38 vjeç, vullnetar në forcat ukrainase (Kniazhychi, Ukrainë, 13 shkurt 2023)
Njerëzit gjunjëzohen ndërsa kthehet me arkivol trupi i Oleksandr Maksymenko, 38 vjeç, vullnetar në forcat ukrainase (Kniazhychi, Ukrainë, 13 shkurt 2023)

Kreu i grupit Wagner pretendoi të dielën se kanë marrë nën kontroll fshatin Krasna Hora, pak kilometra në veri të Bakhmutit.

Një zëdhënës i Grupit Lindor të Forcave të Armatosura Ukrainase, Serhii Cherevatyi, mohoi pretendimet ruse për marrjen e Krasna Horas. “Aty vazhdojnë luftimet”, tha zoti Cherevatyi. “Po e mbajmë nën kontrollin tonë”, i tha ai kanalit CNN. “Kemi mundësinë t’i furnizojmë me armë, ushqime, paisje, ilaçe dhe për të evakuar nga aty të plagosurit”, shtoi ai.

Në një raport të Ministrisë britanike të Mbrojtjes thuhet se që nga 7 shkurti, Rusia duket se ka forcuar fortifikimet mbrojtëse në pjesën qendrore të rajonit Zaporizhia, në veçanti pranë qytetit Tarasivka.

Forcat ruse kanë ngritur gjithashtu pozicione mbrojtëse mes qyteteve Vasylivka dhe Orihiv, pjesë të po këtij rajoni, që nga 8 janari.

Duket se me të gjitha gjasat Rusia i ka rifilluar operacionet e mëdha ofensive në Ukrainë për të kapur pjesët e mbetura nën kontrollin ukrainas në rajonin Donetsk.

Vija e frontit të forcave ruse në Ukrainë shtrihet rreth 1288 kilometra, me pjesën pjesërisht të pushtuar të Zaporizhias në gati 192 km, thuhet në raportin britanik.

Një përparim domethënës i forcave ukrainase në rajonin Zaporizhia do të sfidonte seriozisht vazhdimësinë e brezit të tokës që lidh forcat ruse nga rajoni Rostov me Krimenë e pushtuar, shkruhet në përditësimin më të fundit të të dhënave të zbulimit të ministrisë britanike.

Ushtria private e grupit Wagner po bën përpjekje të mëdha për t’i dhënë Rusisë fitore në fushëbetejë, por ka tregues gjithnjë e në rritje se Kremlini po kërkon të ulë atë që e shikon si një ndikim të tepruar politik të Yevgeny Prigozhinit, themeluesit të grupit Wagner.

Në fotografinë e qarkulluar nga Grupi Wagner duket se pozojnë mercenarët në hyrje të fshatit Krasna Hora (12 shkurt 2023)
Në fotografinë e qarkulluar nga Grupi Wagner duket se pozojnë mercenarët në hyrje të fshatit Krasna Hora (12 shkurt 2023)

Rishtazi, zoti Prigozhin, një ish-i dënuar tashmë në moshën 61 vjeçare, tërhoqi vëmendjen e mediave për rolin e tij të përgjakshëm në Ukrainë. Grupi Wagner ka kritikuar haptazi drejtuesit më të lartë ushtarakë të Rusisë dhe përpiqet të fitojë mbështetjen e Kremlinit nëpërmjet suksesit në fushëbetejë.

Dukshmëria në publik e zotit Prigozhin ka ngjallur spekullime në radhët e analistëve se ai mund të jetë duke synuar të marrë një rol zyrtar në politikë.

Ka megjithatë tregues gjithnjë e më të shumtë se Kremlini po vepron për t’i ndalur këto spekullime, duke e urdhëruar zotin Prigozhin që të ndalë kritikat publike ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, dhe i ka udhëzuar mediat shtetërore që të mos përmendin më me emër zotin Prigozhin apo Grupin Wagner.

“Pozicioni i Kremlinit është që të mos lejojnë hyrjen e tij në politikë. Janë paksa të frikësuar prej tij dhe e shikojnë si person të papërshtatshëm”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters Sergei Markov, ish-këshilltar i Kremlinit që vazhdon të jetë i afërt me autoritetet.

Zoti Prigozhin konfirmoi javën e kaluar se i është hequr e të drejta për të rekrutuar nëpër burgje – një element thelbësor ky i influencës së tij politike në rritje dhe që kishte inkurajuar forcat e tij për të arritur përparime të vogla, por të qëndrueshme në Ukrainën lindore./VOA

 

Fraksion.com