AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Politika duhet të udhëheqë me anë të shembullit

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në “Samitin Botëror të Qeverisjes 2023” në Dubai, ku theksoi se “politika duhet të udhëheqë me anë të shembullit”.

Rama së bashku me Dubai Abulhoul që është themeluese e drejtuese e Institutit Fiker zhvilloi një bashkëbisedim mbi ndikimin e angazhimit të grave në nivelet më të larta vendimmarrëse në qeverisje.

I pyetur se shpesh fajësojmë kulturën apo traditën kur nuk zbatohen ato ndryshime të nevojshme që lidhen me fuqizimin e grave, Rama theksoi se “kultura dhe tradita e historia kanë rëndësi, por më shumë sesa e gjithë kjo kanë rëndësi institucionet”.

“Një miku im dikur më tha diçka që nuk do ta harroj asnjëherë. Suksesi ka dy rrugë, ose janë institucionet që krijojnë sukses ose është suksesi që krijon institucionet.
Kështu që, kur të duhet të nxitësh ndryshimin që ndonjëherë shkon në një drejtim tjetër nga ai që quhet kulturor apo i traditës, duhet t’i besosh suksesit që të ndërtojë institucionet dhe kjo është ajo për të cilën po flisnim më parë, për atë çfarë ju e quajtët teatrale dhe që praktikisht është një shtysë që në njëfarë mënyre e detyron kulturën, e detyron traditën të pranojë një risi. Përmes kësaj, pastaj nis të punosh dhe të jesh më i bindur që diçka institucionale do të lindë prej saj. Kështu që, të shkosh nga një vullnet i mirë, a vullnet i fortë apo dhe vullnet detyrues nga lart që më pas bëhet pjesë e kulturës, është një proces, por duhet të kalojë një farë soji duke treguar shembujt e suksesit, duke sjellë shembuj të tjerë e të tjerë derisa të kesh diçka që bëhet pjesë e kulturës, sepse, shikoni, Shqipëria është një vend që është përballur me kohëra mjaft të ashpra në histori. Është një vend që është mysliman dhe i krishterë, por me një sfond mjaft të fortë patriarkal dhe një sjellje tejet diskriminuese ndaj grave në histori”, nënvizoi Rama.

Në kushtetutën tonë të parë, vijoi Kryeministri, në kodin e shqiptarëve gratë nuk ekzistonin si individë me të drejtat e tyre dhe pastaj patëm periudhën dramatike të regjimit komunist që u përpoq të bënte shumë për të ashtuquajturin emancipim të grave, por në një farë mënyre, jo vetëm detyruan, por u përpoqën që t’i nxirrnin gratë në pah, jo si të barabarta me burrat, po si të ishin burra, çka nuk është aspak gjë e mirë.

“Në qoftë se do të shihnit artin e regjimit komunist apo filmat e regjimit komunist, gratë janë gjithmonë figura të forta fizikisht, që nuk është ajo për të cilën kemi nevojë dhe më pas na u desh të hynim në fazën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë që vuri shumë gjëra në pikëpyetje dhe ndodhën në thelb dy gjëra me ardhjen e demokracisë.
E para, ishte inflacioni tërësor i të ashtuquajturave konkurseve të Miss-eve, “Miss Shqipëria”, “Miss Tirana”, “Miss kopshti”, “Miss kjo, Miss ajo”, pra që kërkonin dhe që prireshin të ekspozonin grupin e grave. Nga ana tjetër kishim një kthim pas në të shkuarën kur vinte fjala për të drejtat e grave dhe të vajzave në shtëpi. Pra, nga regjimi komunist ku ishte e paimagjinueshme që gratë të mbaheshin në shtëpi, erdhëm te liria që në emër të traditës dhe kulturës na ktheu kaq shumë pas në kohët e vjetra, në ato të errëta”, theksoi Rama.

Për një kohë të gjatë, shtoi Rama, kemi jetuar midis këtyre dy ekstremeve.

“Tashmë gjërat po ekuilibrohen më tepër dhe mendoj se politika duhet të udhëheqë me anë të shembullit. Na duhet që të nxisim sa më shumë të mundemi për këtë barazi sepse gjithashtu kjo ka të bëjë me të pasurit të një shoqërie ekonomikisht edhe nga pikëpamja sociale më të ekuilibruar”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “edhe diçka tjetër që dua të them. Mora në dorë një libër shumë interesant ditët e fundit botuar nga një autor italian dhe nuk e kisha menduar asnjëherë në këtë lloj drite. Ishte libër për ekonominë. Marrëdhënia midis burrit dhe gruas dhe ndikimi në ekonomi. Autorja është grua, sigurisht. Ajo kujtonte një gjë mjaft të thjeshtë. Sa është përqindja e krimeve të kryera nga burrat dhe sa përqind nga gratë. Sa aksidente me makinë bëhen nga burrat dhe sa nga gratë. Sa shkaktohet dhuna në familje nga burrat dhe sa nga gratë, dhe duke qenë në Itali, ajo po kështu shtronte pyetjen se sa pjesë e komunitetit të mafias janë burra dhe sa gra. E përfundimi ishte se Italia për shkak të sjelljes së burrave, humbiste më shumë se 5% të PBB së vet. Kështu që, edhe sa u takon parave, burrat janë shumë të shtrenjtë”.

 

Fraksion.com