Presidenti iranian Ebrahim Raisi nis vizitën në Kinë
Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka nisur vizitën tre-ditore në Kinë, duke udhëhequr një delegacion të madh që përfshin ministra për tregtinë, ekonominë, naftën dhe shefin e Bankës Qendrore.
Raisi do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, për të nënshkruar “dokumentet e bashkëpunimit” midis dy kombeve.
Irani dhe Kina tashmë ndajnë lidhje të forta ekonomike, veçanërisht në energji, bujqësi dhe investime, dhe ata nënshkruan një “pakt bashkëpunimi strategjik” 25-vjeçar vitin e kaluar.
Të dy kombet po përballen me presion nga Perëndimi për qëndrimin e tyre ndaj pushtimit rus të Ukrainës, me vendet perëndimore që akuzojnë Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë luftarakë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është temë e ndjeshme për Pekinin, i cili kërkon të qëndrojë neutral, teksa ofron mbështetje diplomatike për Rusinë.
Vizita e Raisit në Kinë është e para si president, dhe shënon vizitën e parë shtetërore nga një president iranian në më shumë se 20 vjet.
Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit, me eksporte në Pekin që arrijnë në 12.6 miliardë dollarë dhe importe në 12.7 miliardë dollarë.
Vizita e Raisit vjen menjëherë pasi ai deklaroi se protestat mbarëkombëtare kundër Qeverisë janë mposhtur.
Që nga shtatori i kaluar, Irani është përballur me protesta masive që u nxitën pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit.
Protestat fillimisht u përqendruan në heqjen e veshjes së detyrueshme të hixhabit – apo shamisë së kokës – por, më pas protestuesit i quajtën protestat një revolucion të ri.
Gjatë fjalimit në Teheran, më 11 shkurt, Raisi tha se protestat u nxitën nga armiqtë e Iranit dhe sipas tij, protestat kishin për qëllim që të parandalonin shtetin që të vazhdojë të korrë arritje.
Që nga shtatori, në protestat mbarëkombëtare janë vrarë mbi 500 persona, përfshirë 71 fëmijë, dhe janë arrestuar rreth 20.000 persona./REL
Fraksion.com