Lame: 250 mijë certifikata pronësie gjatë vitit 2022
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame tha se gjatë vitit 2022 janë lëshuar 250 mijë certifikata pronësie nga 127 000 që u lëshuan në vitin 2018.
Lame i dha këto shifra gjatë një seance dëgjimore që u zhvillua në Komisionin e Ligjeve për zbatimin e ligjit 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Lame tha se, sot është reduktuar ndjeshëm dhe koha e aplikimit për marrjen e shërbimeve.
“Kur aplikon, koha mesatare e dhënies së shërbimeve, po të shihet nga grafikët nga 130 ditë, është reduktuar në 21 ditë. Vjet ishte 23 ditë, parvjet 24 ditë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit ka ndryshime drastike. Në vitin 2022, jemi te 22 ditë mesatarja. Teorikisht jemi te afati ligjor që është 21 ditë. Ajo që mbetet në këtë pikë është sfida e institucionit është cilësia e përgjigjes. Nëse kemi hyrë në afatet ligjore, tanimë duhet të shohim cilësinë e dhënies së përgjigjes përmes “e- Albania”, pasi gjithçka tanimë është online”, u shpreh Lame.
Ai tha se, si numër total i aplikimeve ka arritur në 1.5 milionë në vitin 2021 nga 735 000 aplikime që ishin në 2018. Ndërsa në 2022 kemi 1.2 milionë aplikime.
Sipas tij, kemi 1 900 aplikime pa përgjigje në vitin 2022 nga 1.2 milionë aplikime.
“Por, po të shohim periudhën para hyrjes në fuqi të ligjit, në 2017, rezulton se janë 124 000 aplikime pa përgjigje, pra aplikantët kanë paguar dhe s’kanë marrë shërbime. Por nga ajo pikë, kemi patur rënie. Rënia nga 200 000 në vit, në 2 000 në vit, tregon efektivitetin e shërbimit”, u shpreh ai.
Fraksion.com