AktualitetTë fundit

Konflikti që hodhi në erë ‘Bizantin’ në Sarandë: Policia zbardh ngjarjen, arreston djalin e njërit prej pronarëve

Sotir Çabiri, djali i Spiro Çabirit është vënë në prangat e policisë së Sarandës si autor i shpërthimit me tritol të hotelit ‘Bizanti’ që terrorizoi qytetin bregdetar në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në momentin e arrestimit. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Sotir Çabiri i vuri rreth 30 kg dinamit godinës duke e rrafshuar tërësisht rreth orës 05:55 ndërsa prej vitit 2002, babai i tij ishte në process gjyqësor për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.

Njoftimi i policise

Sarandë/Shpërtheu me tritol një hotel në Sarandë, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Grupi i posaçëm hetimor, brenda disa orëve punë intensive profesionale hetimore, zbardhi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë. Identifikohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i shpërthimit dhe shkatërrimit me eksploziv, të hotelit që babai i tij kishte në bashkëpronësi me një shtetas tjetër.

Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel. Sekuestrohen veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes.

Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit:

-S. Ç., 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com