AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg në Uashington: Ka ardhur koha të finalizojmë si për Finlandën edhe Suedinë anëtarësimin në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA.

Ndërsa ishte në Uashington, agjenda e Jens Stoltenberg përfshiu takimin me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, një takim me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd J. Austin III, takimin  me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, si dhe me udhëheqjen e Kongresit.

Deklaratën e shkurtër në takimin me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd J. Austin III,  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg  e filloi  duke shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për Turqinë dhe për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre në këtë tërmet shkatërrues.

Ai përshëndeti që Komanda e Shteteve të Bashkuara dhe gjithashtu aleatët e tjerë  treguan gatishmërinë  shumë shpejt për të ofruar mbështetje për të ndihmuar Turqinë me punën e shpëtimit dhe për të zbutur pasojat e tërmetit.

“Kjo tregon se si aleatët e NATO-s qëndrojnë së bashku, si ne mbështesim njëri-tjetrin dhe për këtë arsye është pjesë e frymës së NATO-s të ndihmojmë kur një vend, një aleat i NATO-s pëson një tërmet të tmerrshëm, siç bëri Turqia disa ditë më parë.”, tha Stoltenberg.

AI përgëzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe personalisht, Sekretar Austin, për udhëheqjen  e tij,  të palëkundur në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, jo më pak përmes Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili po koordinon dhe mobilizon mbështetjen për Ukrainën.

“Kjo mbështetje bën një ndryshim në terren çdo ditë dhe është kritike për Ukrainën në vetëmbrojtje të saj. Ukraina është pushtuar dhe Ukraina ka të drejtë të mbrojë territorin e saj. E drejta e vetëmbrojtjes është e sanksionuar në Kartën e OKB-së.

Ajo që bëjnë aleatët dhe partnerët e NATO-s është të ndihmojnë Ukrainën të përmbushë këtë të drejtë.

Ne duhet të jemi të përgatitur për një kohë të gjatë, për të qëndruar me Ukrainën për aq kohë sa duhet.”, tha shefi i NATO-s.

Stoltenberg tha se mirëpret gjithashtu angazhimin e qartë “nga Shtetet e Bashkuara, nga Presidenti Biden, nga administrata amerikane, por edhe mbështetjen dypartiake, të cilën në fakt e pashë sot në shumë takime të ndryshme në Kongres, në Shtetet e Bashkuara, për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës. .”

Nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë, do të jetë një tragjedi për Ukrainën, por do të jetë gjithashtu e rrezikshme për ne, tha Stoltenberg.

“Ai do t’u dërgojë një mesazh udhëheqësve autoritarë, jo vetëm Presidentit Putin, por edhe në Azi dhe vende të tjera, se kur përdorin forcën ushtarake, ata mund të arrijnë qëllimet e tyre. Dhe kjo do ta bëjë botën më të rrezikshme dhe ne më të pambrojtur.

Pra, është në interesin tonë të sigurisë kombëtare të sigurojmë që Ukraina të mbizotërojë dhe të fitojë dhe të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur në Evropë.”

“Atëherë mirëpres edhe mbështetjen e fuqishme për zgjerimin e Aleancës. Të gjithë aleatët morën një vendim historik kur vendosën në samitin e NATO-s në korrik të vitit të kaluar, të ftonin Finlandën dhe Suedinë.”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm.

Ai tha se “tani ka ardhur koha për të finalizuar këtë proces ratifikimi dhe shpresoj që ne mund të shohim, si Finlandën ashtu edhe Suedinë, si anëtarë të plotë, sa më shpejt të jetë e mundur.”.

Stoltenberg solli në vemendje politikën e NATO-s me parnerët globalë në Azinë Juglindore.

“Më lejoni të them gjithashtu se ju dhe unë, ishim pothuajse në të njëjtën kohë në Azinë Juglindore.
Dhe mendoj se kjo tregon se siguria nuk është rajonale. Siguria është globale. Ajo që ndodh në Evropë ka rëndësi për Azinë Juglindore, për Azinë. Dhe ajo që ndodh atje ka rëndësi për Evropën dhe për Amerikën e Veriut dhe për të gjithë ne.”.

Kjo është arsyeja tha ai pse NATO duhet të trajtojë edhe pasojat e sigurisë të investimeve të mëdha të Kinës në kapacitetet e reja ushtarake dhe “se si Kina paraqet një sfidë për interesat tona, sigurinë tonë dhe vlerat tona.”, tha Stoltenberg.

Ka shumë çështje për t’u diskutuar tha ai në pritje  të ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, javën e ardhshme, më 14 shkurt.

 

Fraksion.com