AktualitetNATO/BEOp-EdTë fundit

Samiti i BE-së – solidaritet i fortë për Ukrainën

Nga Bernd Riegert

 

Fjalë shumë emocionale për presidentin ukrainas në Bruksel. Por premtimet konkrete me kursim. A ia vlejti për Volodymyr Zelenskin përpjekja në Bruksel?

 Me presidenten e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola presidenti ukrainas Volydymr Zelenski mbajti një flamur të madh të Europës.

Veshja e thjeshtë me një bluzë ngjyrë të errët pambuku e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski gjatë paraqitjeve në Bruksel, bënte të qartë se cili është qëllimi i vizitës së tij. Bluza mbante stampën “United24”. Kjo është një tregues për faqen e internetit, përmes së cilës Zelenski personalisht që nga maji i vitit të kaluar përpiqet të mbledhë donacione dhe mbështetje për luftën mbrojtëse të Ukrainës ndaj sulmit rus. Vizita në Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian, pra në raundin e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, shërben për të kërkuar më shumë ndihma e mbështetje europiane për vendin e tij.

“Vijmë në shtëpi”

“Ukraina do të jetë anëtare e Bashkimit Europian, një Ukrainë fitimtare”, tha Volodymyr Zelenski në pultin e referuesit përpara Parlamentit Europian. Kjo do të ishte edhe një fitim për BE-në, sipas tij. Përpara sallës plenare të mbushur plot në Bruksel presidenti ukrainas u përbetua, se do të mbrojë vlerat e përbashkëta europiane ndaj diktatorit rus, që do t’i shkatërrojë këto vlera. “Kjo është Europa jonë. Kjo është mënyra jonë e jetesës. Për Ukrainën kjo është sikur të vijë në shtëpi”, bëri thirrje Zelenski para eurodeputetëve duke iu referuar bisedimeve për anëtarësim me BE-në.

Zelenski dhe Metsola kur po interpretohej himni i Europës në sallën plenareZelenski dhe Metsola kur po interpretohej himni i Europës në sallën plenare

Natyrisht presidenti ukrainas falenderoi deputetët dhe jo vetëm ata, por të gjitha qeveritë europiane dhe njerëzit europianë për mbështetjen unikale dhe historike ndaj shtetit të sulmuar. Fjalimi i tij u ndërpre e u shoqërua vazhdimisht me duartrokitje frenetike për minuta të tëra nga parlamentarët. “këto duartrokitje nuk më takojnë mua, por juve të gjithëve”, tha Zelenski i emocionuar dhe me këtë kishte parasysh të gjithë europianet dhe europianët. “Europa do të ekzistojë për aq kohë sa ne do të qendrojmë bashkë”, tha Zelenski.

Shumë simbole

Presidenti përsëriti fare shkurt kërkesën e tij të parashtruar gjatë vizitës në Londër për avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë veprimi. Kërkesat konkrete ai nuk i bëri publikisht. Edhe sa i përket dëshirës së vendit të tij për një anëtarësim të shpejtë në BE ai nuk u shpreh me ndonjë theks të veçantë duke mbetur me gjeste simbolike. Me presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola ai mbajti një flamur të madh të Europës. Bashkarisht u këndua himni i Europës në sallën plenare. Volodymyr Zelenski mbajti dorën e djathtë në zemër dhe këndoi himnin gjithashtu.

Roberta Metsola vlerësoi në mbyllje forcën drejtuese të të mikut të ftuar si një frymëzim për popullin e tij dhe për të gjithë botën. Ajo tha, se vendi i Ukrainës është në BE. Ajo shprehu atë, që Volodymir Zelenski nuk e tha në mënyrë eksplicite. Sakrificat e Ukrainës duhet të vlerësohen me vepra të europianëve, tha Metsola, e kjo “me një proces sa më të shpejtë anëtarësimi në BE, me më shumë ndihmë ushtarake. Hapi tjetër për vendet anëtare: Ato duhet të furnizojnë raketa me rreze më të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë.”

Asnjë premtim konkret

Kërkesën e presidentes së Parlamentit të BE-së e dëgjuan krerët e 27 vendeve anëtare, por ata nuk dhanë premtime konkrete në samitin që vazhdoi pasdite. I pyetur nga reporterët lidhur me konsultime e zhvilluara, presidenti ukrainas tha, se është mirënjohës për garancitë, që BE do të qendrojë në krah të Ukrainës, derisa ajo të jetë fituese. Por do të flitet për avionët luftarakë. Puna po vazhdon. Nuk mund të flasë hapur për gjithçka, sepse Rusia dëgjon, u shpreh Zelenski para gazetarëve. “Nuk kam marrë premtime konkrete, që të duhej të vendosnim tani për vendime praktike”, tha Zelenski. “Por unë mund ta përballoj, të kthehem në shtëpi pa premtime konkrete.”

 Por unë mund ta përballoj, të kthehem në shtëpi pa premtime konkrete, u tha Zelenski gazetarëve në Bruksel.“Por unë mund ta përballoj, të kthehem në shtëpi pa premtime konkrete”, u tha Zelenski gazetarëve në Bruksel.

Antarësimi në BE varet nga progresi

Disi më konkrete ishte presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ajo tha, se paketa e dhjetë e sanksioneve ndaj Rusisë, është përgatitur që do të përmbajë edhe masa kundër propagandës dhe pushtetmbajtësit të Rusisë, Vladimir Putin. Këto masa kundër propagandës i pati kërkuar shprehimisht Zelenski. Nëse dëshira e Ukrainës do të përmbushet sivjet me hapjen e negociatave të anëtarësimit, këtë e la të hapur von der Leyen. Kjo varet nga progresi i reformave. Hapat e deritanishëm në gjendjen e luftës janë për t’u vlerësuar. Në vjeshtë shpresojmë të kemi dëshmi pozitive në të ashtuquajturin “progres-raport” për vendin kandidat. Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh për një proces të shpejtë. Këtë herë ky proces nuk duhet të zgjasë 20 vjet, si për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kanë marrë premtimin qysh më 2003 në samitin e Selanikut.

Një Tribunal Lufte kundër të pandehurve rusë për krime lufte në Ukrainë sikurse e kërkon Parlamenti Europian, samiti i BE-së nuk e mbështeti direkt. “Unë të siguroj ty, Volydymyr, që ne kemi vullnetin politik për t’i nxjerrë para drejtësisë dorasit”, tha presidentja e Komisionit von der Leyen në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin ukrainas. “Ne do të gjejmë një rrugë.” Fillimisht duhet të krijohet një qendër e posaçme hetimi pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë./DW

 

Fraksion.com