Akuza për pastrim parash, SPAK: 13 vite burg për kunatin e Rezart Taçit, 12 vite për shoferin e tij. 18 mln eurot t’i kalojë shtetit
Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për çështjen e pastrimit të parave nga ana e Rezart Taçit, kunatit dhe shoferit e tij që akuzohen do të pastronin në Shqipëri miliona euro të mafias italiane. SPAK ka dërguar shpalljen fajtor të kunatit të Taçit, Artur Balla dhe dënimin me 13 vite burg, ndërkohë që për shoferin Bledar Lilo ka kërkuar 12 vite burg. Vetë Rezart Taçi është në arrati.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.
Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.
Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
18.4 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. SPAK thotë se Taçi do pastronte 18.4 mln € përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia. 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e bllokoi operacionin.
Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.
Fraksion.com