Zelensky: Avionë luftarakë sa më shpejt të jetë e mundur
Presidenti ukrainas në tur evropian. Pas Londrës, Zelensky u takua në Paris me presidentin Macron dhe kancelarin Scholz. Të enjten Zelensky pritet në samitin e BE në Bruksel.
“Bëhet fjalë për armë që janë të nevojshme për paqen. Lufta, të cilën e nisi Rusia, duhet të ndalet”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin Scholz në Paris. Ai ka përsëritur kërkesën e Ukrainës për armë të rënda dhe avionë luftarakë. “Emmanuel sa më shpejt pilotët tanë marrin avionë modernë, dhe Olaf, sa më i fortë të bëhet koalicioni ynë i tankeve aq më shpejt do të marrë fund agresioni i Rusisë.” Dhe ne ia kthejmë Europës paqen.” Më parë presidenti ukrainas kishte shprehur nevojën në Londër avionë luftarakë.
Mbështetje nga Franca dhe Gjermania
Macron i premtoi Zelenskyt se Franca do ta ndihmojë Ukrainën në luftë kundër invazionit rus. Dhe se ky vend është i vendosur të mbështesë Ukrainën “në rivendosjen e të drejtave legjitime”. Edhe kancelari gjerman premtoi ndihma për Ukrainën sa kohë të jetë e nevojshme. Ajo që mbetet është se “Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë”, tha kancelari gjerman. Nga ana tjetër Scholz siguroi, se “Ukraina bën pjesë në familjen europiane”.
Nga samiti i BE-së në Bruksel, ku Zelensky është i ftuar pritet të dërgohet një sinjal i fortë solidariteti në drejtim të Kievit. Ukraina u shpall vitin e kaluar vend kandidat për në BE, pak pas vizitës së Macron dhe Scholz në Kiev. Takimi në Paris ishte i dyti takim kokë më kokë i tre politikanëve që nga fillimi i luftës para gati një viti. Scholz dhe Macron mënjanuan në deklaratat e tyre të shkurtra para darkës në Paris çdo prononcim në lidhje me avionët luftarakë. Edhe pas takimit nuk pati njoftime publike.
Vendet perëndimore e kanë zgjeruar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, por nuk janë shprehur për furnizimin e saj me avionë luftarakë. Vetëm Britania e Madhe ka thënë, se po shqyrton, se çfarë avionësh luftarakë mund t’i dërgohen Ukrainës dhe ka ofruar ndërkohë trajnimin e pilotëve ukrainas./DW
Fraksion.com