Deputetja e PL-së: 90% e shkollave në rang vendi janë pas sistem ngrohje! Të miratohet sa më parë buxhet shtesë
Temperaturat e ulëta dhe nën zëro, kanë nxjerrë na pah mungesën e ngrohjeve në disa shkolla të vendit. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një postim në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësimin për këtë çështje, duke nënvizuar se nxënësit po bëjnë mësim me xhupa dhe dorashka.
Sipas Xhixhos përtej propagandës së qeverisë, 90% e shkollave në rang vendi janë pa sistem ngrohje. Deputetja i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të marrë përsipër përgjegjësitë që ka dhe të japë zgjidhje, jo deklarata boshe. Po ashtu shton deputetja duhet të miratohet sa më parë në Parlament shtesë në buxhetin për vitin 2023 për arsimin, për pajisjen me sistem ngrohjeje të çdo shkollë në vend.
Si çdo vit, shkollat e vendit gjenden në kushte të mjerueshme, pa infrastrukturën e duhur për të përballuar temperaturat e ulëta. Nxënësit bëjnë mësim me xhupa dhe dorashka, pamje që rrëzojnë propagandën e shkollave digitale. Në të gjithë vendin raportohet për 100 shkolla pa ngrohje. Por realisht janë 90% e shkollave pa sistem ngrohjeje në rang vendi. Kjo problematikë që na shoqëron prej vitesh ka mbetur pa zgjidhje, sepse kjo qeveri nuk i ka prioritet investimet në arsim. Është e papranueshme dhe mungesë totale e përgjegjshmërisë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe bashkive të Rilindjes t’i lënë fëmijët tanë në klasa të ftohta, pa kushtet minimale, e më pas të dalin të na flasin për standarte të sistemit arsimor. Cilësia në arsim është një nga shumë shkaqet pse familje të tëra vendosin të largohen nga vendi. Vetëm për periudhën 2014-2022, sipas Eurostat, janë larguar 935 mijë familje. I bëj thirrje Ministrisë Arsimit të marrë përsipër përgjegjësitë që ka dhe të japë zgjidhje, jo deklarata boshe. Gjithashtu sa më parë të miratojmë në Parlament shtesë në buxhetin për vitin 2023 për arsimin, për pajisjen me sistem ngrohjeje të çdo shkollë në vend. Lekët janë aty, mjafton të ndërprisni pagesat e inceneratorëve që nuk ekzistojnë. Paratë janë, mjafton vullneti për të ndarë me qytetarët plot 500 milionë euro që arkëtoi buxheti i shtetit nga rritja e çmimeve.’- shkruan Erisa Xhixho.
Gjatë një intervistë sot për Report Tv, ministrja Evis Kushi u pyet edhe për ngrohjen në shkolla. Kushi tha se vetëm 28 shkolla janë që nuk kanë ngrohje dhe po bashkëpunojnë me bashkitë për të gjetur zgjidhje. Ajo theksoi se deri më tani asnjë shkollë nuk është mbyllur për shkak të kushteve atmosferike.
Fraksion.com