Bozdo: Rrugët pa standard në Shqipëri, dyfish më të shtrenjta se në BE
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Enno Bozdo reagoi sot për autostradën e Korridorit Blu, që lidh Greqinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Në një deklaratë për mediet, Bozdo tha se, “qeveria greke ka vendosur të ndërtojë një autostradë të re Janinë-Kakavijë, pjesë e Korridorit Blu, që lidh Greqinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”.
Ai shtoi se, “duke respektuar standardet evropiane të ndërtimit, autoritetet greke, në studimin e tyre të fizibilitetit kanë përcaktuar një kosto për këtë autostradë, prej 4.5 milionë euro për kilometër”.
“Pjesë e të njëjtit korridor është edhe segmenti shqiptar Lekaj-Fier, me gjatësi 46 kilometra, koston e të cilit qeveria Rama e ka nxjerrë me 7 milionë euro për kilometër, edhe pse 42 kilometrat e kësaj rruge ndërtohen mbi segmentin ekzistues të rrugës”, u shpreh Bozdo.
Më tej, Bozdo nënvizoi se, “edhe pse nuk jemi të sigurt nëse projekti do t’i përmbahet standardit evropian të ndërtimit, përsëri çmimi është thuajse dyfish më i lartë”.
Por, vijoi ai, “nuk mbaron me kaq. Pjesë e të njëjtit korridor është edhe segmenti Thumanë-Kashar. Këtu absurdi njeh lartësi të reja, sepse ky segment kushton 13 milionë euro për kilometër, ose rreth 4 herë më shtrenjtë. Për të njëjtin standard ndërtimi, sigurisht, në rastin më të mirë. Por edhe sikur të jetë kështu, nga të dhënat zyrtare del se, Greqia po ndërton, minimalisht, dy herë më lirë se Shqipëria. Në Greqi, kostoja e punës është shumë më e shtrenjtë. Edhe materialet e ndërtimit janë më të shtrenjta. Atëherë, si është e mundur? Ka vetëm një shpjegim: diferenca e lartë përfaqëson taksën e vjedhjes, taksën e përhershme të vjedhjes së qeverisë Rama, e cila zbatohet kudo dhe kurdoherë, pa asnjë pushim apo vrarje ndërgjegjeje. Ajo aplikohet në çdo rrugë, në çdo shkollë, në çdo spital, në çdo tunel të hapur, në çdo shërbim të prokuruar”.
Po ashtu, Bozdo theksoi se, “rrugët tona kushtojnë dyfish më shtrenjtë se në BE, edhe pse standardet janë dyfish më të ulëta. Por të paktën standardin e protestës, të rebelimit, duhet ta kemi të njëjtë me europianët. Si ata duhet të ngrihemi, siç bëjnë në Paris, Athinë apo Romë”.
Fraksion.com