AktualitetPolitikëTë fundit

“Nesër vjen Lord Stuart Peach për aksione të mëtejshme”, King-Smith nga Elbasani: Kandidatët në zgjedhjet vendore të jenë larg korrupsionit dhe krimit

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë,  Alastair King-Smith deklaroi sot se kandidatët në zgjedhjet vendore të 14 majit duhet të jenë larg korrupsionit dhe krimit.

Në një prononcim për mediet nga Elbasani, ambasadori King-Smith u shpreh se nuk duhet të ketë keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe zgjedhjet duhet të zhvillohen në mënyrë të lirshme dhe të ndershme.

“Do të vazhdojmë të kemi bisedime për llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nesër do kemi vizitën speciale në Tiranë të të Dërguarit të Posaçëm të kryeministrit britanik, Lord Stuart Peach për Ballkanin Perëndimor. Nëse e mbani mend që në korrik shpallëm valën e parë të sanksioneve kundër disa qytetarëve shqiptarë, Lord Peach i shpalli ato sanksione dhe do shohim për aksione të mëtejshme gjatë këtij viti”, tha King-Smith.

Ambasadori britanik u shpreh se “që në muajin korrik e kemi bërë të qartë se ne do të marrim masa ndaj personave që kanë lidhje me korrupsionin dhe me kriminalitetin dhe ato masa janë të parat që morëm”.

“Do të marrim masa të tjera në vazhdim për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Sanksionet e korrikut u morën ndaj një sërë individësh në Shqipëri, u siguruam të kemi qëndrim të ekuilibruar. Do të sigurohemi të kemi një qasje të balancuar edhe ndaj masave të ardhshme”, shtoi ai.

Duke folur për emigracionin, ambasadori britanik u shpreh se i trishtuar që sheh shumë të rinj shqiptarë po ikin nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme.

“Mesazhi, ynë për të rinjtë është mos shkoni në këtë formë. Është shumë e trishtë të shohësh trafikantët që tregojnë se sa i lehtë është udhëtimi dhe jeta atje, por e vërteta nuk është ashtu siç tregohet nga trafikantët. Britania po zbaton marrëveshjen e arritur në 13 dhjetor me qeverinë shqiptare dhe ka në fokus të kthejë personat që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë”, shtoi ai.

Ambasadori u shpreh se “për shkak të shkallës së përfshirjes së shqiptarëve mund të duket se ka një fokus ndaj Shqipërisë, por marrëveshja parashikon që Shqipëria të shihet si vend i sigurtë dhe njerëzit të emigrojnë vetëm në mënyrë të rregulltë”.

“Për ata që emigrojnë në mënyrë të paligjshme rezultati do të jetë që do të kthehen. Ashtu sikurse e ka thënë edhe kryeministri britanik, përveçse do të marrim aksione kundër trafikantëve që po shfrytëzojnë të rinjtë, do të sigurohemi edhe që personat që udhëtojnë në mënyrë të paligjshme të mos jenë në gjendje ta bëjnë”, tha ai.

Sipas King-Smith, “mesazhi i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar është se qeveria britanike e njeh dhe e vlerëson shumë kontributin e komunitetit shqiptar në Britani”.

“Shumë prej tyre japin e kontributin e çmuar për shoqërinë britanike”, tha ai.

 

Fraksion.com