AktualitetTë fundit

Në sfidë me motin e terrenin, pjesëtarët e skuadrës shqiptare në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi

73 forca nga skuadrat e kërkim-shpëtimit të Shqipërisë po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit që prej ditës së martë në zonat e prekura nga tërmeti i 6 shkurtit.

Një pjesë e skuadrës është vendosur në zonën e Mallatjas, në Turqi. Në kushte tejet të vështira për shkak të rrënojave të ndërtesave të larta, por edhe motit me temperatura të ulëta, efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë pa pushim për nxjerrjen e të mbijetuarve apo trupave të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i së hënës.

Gjatë ditës së hënë, pjesëtarët e skuadrës shqiptare, në koordinim të plotë me autoritetet vendase dhe ekipet aleate nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile kanë ndihmuar në nxjerrjen e 3 trupave të pajetë, ndërsa është shpëtuar një fëmijë 5 vjeç, i cili ishte në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.

Misioni ka vijuar pa ndërprerje përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme. Deri më tani me ndihmën edhe të pjesëtarëve të skuadrës shqiptare të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë 3 trupa të tjerë.

Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar.

Skuadrës së parë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria iu bashkuan sot edhe të tjera forca shtesë, për të mbështetur autoritetet turke në përballimin e pasojave të tërmetit të 6 shkurtit.

 

Fraksion.com