AktualitetBota+Të fundit

Erdogan: Brenda një viti ndërtesa të reja në 10 provincat e goditura nga tërmeti

Të paktën 8 574 persona kanë vdekur dhe 49 133 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë jugore të hënën, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan vizitoi sot rajonin Kahramanmarasit, i cili ishte më i godituri nga tërmeti shkatërrues dhe vlerësohet të jetë fatkeqësia më e rëndë që ka goditur vendin në 100 vitet e fundit.

“Deri më tani janë raportuar 8 574 të vdekur, 49 133 të plagosur dhe 6 444 ndërtesa janë shembur”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp pas vizitës në zonën e tërmetit.

Më tej ai tha se shteti ka mobilizuar të gjitha resurset dhe organizatat e tij në krye me AFAD.

Presidenti Erdogan tha se qytetarëve të prekur nga tërmeti u janë ofruar ambiente akomodimi në hotele në qytetet si Antalia, Mersin dhe Alania, në bregdetin jugor të Turqisë.

Të gjithë qytetarët që dëshirojnë mund të shkojnë drejt këtyre qyteteve, ku do t’u sigurohet gjithçka.

Erdogan shtoi se të gjitha familjet e prekura nga tërmeti do të paguhen nga 10 mijë lira secila, si lehtësim në këto momente të vështira.

“Qëllimi ynë është të kryejmë operacione masive strehimi në 10 qytete vitin e ardhshëm, ashtu siç bëmë në provincat e tjera ku kemi përjetuar fatkeqësi”, shtoi ai.

Sipas të dhënave të AFAD-it gjithsej, janë ngritur 50 818 tenda për të mbijetuarit. Në terren janë dërguar edhe 5 434 automjete, përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmarasit, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Lëkundjet u ndjenë edhe në Sirinë fqinje, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Si pasojë e tërmetit në Siri, u raportuan të paktën 2530 persona dhe 4645 të plagosur.

 

Fraksion.com