Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit në terren, falënderim nga Mbrojtja Civile e BE-së
Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit që ndodhet në Turqi për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale foto nga momentet e kërkim- shpëtimit.
Ata do të ndihmojnë në kërkimin e trupave nën rrënoja dhe t’i ofrojnë atyre ndihmë të shpejtë.
Rama kishte lajmëruar që ditën e djeshme se një ekip shpëtimi do të niset drejt Turqisë për ti ardhur në ndihmë, ashtu siç edhe Turqia u gjend pranë Shqipërisë para katër vitesh kur vendi ynë u gjend në të njëjtën situatë.
Gjithashtu ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit që ndodhet në Turqi, të publikuara nga Mbrojtja Civile dhe Ndihma Humanitare e BE-së
“Pas vendosjes së tyre nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit është tashmë në terren në Malatya dhe ka kaluar ditën e sotme duke punuar me ekipin vendas për të shpëtuar jetë dhe për të mbështetur të prekurit nga tërmeti në Turqi”, thuhet në postimin e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare të BE-së.
Kjo agjenci në postim falënderoi Agjencinë Civile të Mbrojtjes Kombëtare për solidaritetin.
Qeveria shqiptare iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.
Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete mbërritën sot në Turqi, ku kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.