AktualitetTë fundit

Skuadra shqiptare e kërkim-shpëtimit në rrënojat e tragjedisë në Malatya

Ekipet e kërkim-shpëtimit të dërguara nga Shqipëria, kanë nisur punën në terren në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrimtar  në zonën e Turqisë Juglindore.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama përcolli momente nga puna e  skuadrës shqiptare që vazhdon kërkimet për të mbijetuar në rrënojat e tërmetit.

“Skuadra shqiptare e kërkim-shpëtimit në rrënojat e tragjedisë në Malatya”, shkruan Rama.

Po ashtu edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA – Gjeneral Brigade Arben Kingji deklaroi sot se ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit vijojnë operacionin në zonën e Turqisë Juglindore.

“Ekipet e përbëra nga personeli mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqinë juglindore. Në emër të të gjithë personelit të Forcave të Armatosura shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre në këtë ngjarje tragjike në Turqi dhe Siri”, u shpreh Kingji.