AktualitetKosovaTë fundit

Hovenier: SHBA-ja e inkurajuar me qasjen e Kosovës ndaj propozimit për marrëveshjen me Serbinë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, shkroi në rrjetet sociale ambasadori Hovenier, duke i bërë jehonë postimit të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili mirëpriti po ashtu siç tha, vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

“Ne do të vazhdojmë diskutimet tona për një takim të nivelit të lartë”, shkroi zoti Lajçak, pas vizitës së të martës në Prishtinë dhe Beograd në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai.

Zyrtarë të BE-së nuk thanë se kur mund të ndodhë ndonjë takim i nivelit të lartë por shfaqën shpresën se palët do të punojnë për një marrëveshje normalizimi.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje që synon të zbusë tensionet. Diplomatët perëndimorë u thanë të dyja palëve se duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë një plan ndërkombëtar për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka lënë të kuptohet se do të pranojë propozimin. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke vënë theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Krahas përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, vendosi kushte për themelimin e asociacionit duke thënë se ai mund të krijohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Mospajtimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon, në një periudhë kur kontinenti po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Serbi kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen perëndimore dhe nuk i ka vënë sanksione Rusisë duke llogaritur në mbështetjen e saj në refuzimin e shtetësisë së Kosovës./VOA

 

Fraksion.com