AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Auto Moto Park Albania”, Rama: Vendosim Shqipërinë në një tjetër hartë ku mungon plotësisht

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se projekti “Auto Moto Park Albania” do t’i hapë rrugë një epoke të re për Elbasanin dhe Shqipërinë.

Kryeministri mori pjesë në prezantimin e projekteve prej kompanive të rëndësishme që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë, duke e cilësuar këtë garë si një event historik për automotorizmin shqiptar, por edhe për Shqipërinë.

Duke falënderuar kompanitë që marrin pjesë në konkurs, Rama tha se “falë ideve të tyre dhe projekteve ne do të përzgjedhim projektin më të mirë për t’i hapur rrugë një epoke të re për Elbasanin dhe Shqipërinë. Për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht dhe për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë për tjetër kategori vizitorësh që do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë tonë, imazhin tonë”.

“Nga ana tjetër ky projekt i hap rrugë një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve jo thjesht vende pune, por vende pune të mirëpaguara, teknologji e lartë, pa diskutim dhe mundësi të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re”, tha Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi Blendi Gonxhen dhe gjithë skuadrën që, siç tha ai, me frymëzim, me pasion, me përkushtim vazhdon të udhëheqë me forcën e shembullit transformimin e shërbimeve publike.

“Sot shërbimet e transportit janë në krye të klasifikimit të shërbimeve tona dhe kjo falë këtij përkushtimi, kësaj përgjegjshmërie dhe mbi të gjitha këtij frymëzimi”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se “ky projekt nuk është një kërkesë në përshkrimin e punës së drejtorit të kësaj drejtorie të përgjithshme, por ky projekt është fruti i këtij frymëzimi për të cilin fola dhe jam i bindur se duke bashkuar të gjitha forcat ne do ta realizojmë dhe jam i bindur që siç shumë gjëra deri dje na dukje të pamundura tani janë në rrugën që po bëhen të mundura. Ashtu siç dukej e pamundur që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë që edhe kjo është e mundur”.

Konkursi Ndërkombëtar për Projektin “Auto Moto Park Albania”, me praninë e kompanive prestigjoze të interesuara për zhvillimin e këtij projekti, sjell një hap më pranë jetësimin e ëndrrës së cirkuitit të parë motosportiv sipas standardeve të FIA dhe FIM që do të ndërtohet në Krastë, Elbasan.

Ky projekt krahas promovimit të kulturës së motorsportit dhe sigurisë rrugore, do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë vendase duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e rajonit për organizimin e eventeve motorsportive. Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.

 

Fraksion.com