AktualitetPolitikëTë fundit

“Auto Moto Park Albania”, Gonxhja: Motor ekonomik për turizmin, punësimin dhe tregun automotiv

Sot në Tiranë u zhvillua konkursi ndërkombëtar për projektin “Auto Moto Park Albania”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Duke marrë fjalën në këtë takim të rëndësishëm, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, tha se, kjo është një ngjarje e madhe për komunitetin automotiv e motosportiv shqiptar jo vetëm në trojet shqipfolëse, por dhe më gjerë në rang rajonal.

“Industria e motosportit ndikon në jetët e miliona njerëzve. Një studim i fundit i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, mbi ndikimin social dhe ekonomik të motorsportit, tregon se të ardhurat e gjeneruara nga kjo industri në rang global për vitin 2020 arritën vlerën marramendëse të 160 miliardë USD. Në vitet para Covid kjo vlerë arrinte deri në 250 miliardë USD. Nëse motosporti do të ishte një shtet, do të ishte shteti i tretë më i pasur në botë”, tha Gonxhja.

Duke iu referuar studimit të FIA-s, Gonxhja vuri në dukje se, “kjo industri gjeneron 1.5 milionë vende pune. “Në këtë kontekst, vijoi ai, Auto Moto Park Albania nuk mund të konsiderohet vetëm si një pistë ku do të zhvillohen gara shpejtësie, por si një motor ekonomik për turizmin, punësimin dhe tregun automotiv”.

Gjithashtu theksoi ai, me qëllim përmirësimin e situatës së sigurisë në rrugë, Auto Moto Park Albania do të përfshijë edhe qendrën e parë të formimit për sigurinë rrugore, për grupmosha dhe kategori lejedrejtimi të ndryshme.

“Synohet të arrihen rezultate të prekshme dhe afatgjata, jo vetëm në statistikat mbi aksidentet rrugore, por edhe në rritjen e kulturës së përdorimit të rrugës apo uljen e sjelljeve agresive në rrugë. Statistikat ndër vite nga qendra të ngjashme janë tepër inkurajuese. Formimi në kurse të posaçme për sigurinë rrugore ul me: 32% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente rrugore; 59% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente rrugore me dëmtime; 96% mundësinë për t’u përfshirë në aksidente me pasoja fatale”, tha Gonxhja.

Kreu i DPSHTRR-së, falënderoi studiot e huaja të projektimit nga fusha e motosportit, që besuan dhe punuan pa pagesë e me kosto të larta, sepse siç tha ai, “puna fillestare është e vogël në volum por ka impenjim të fortë kreativ”.

“Një heqje kapeleje për kolegun tim, këshilltarin Sokol Duma, i apasionuar me automobilizmin dhe garat, që e njoha në vitin 2019 me rastin e vizitës së Jean Todt (në cilësinë e Presidentit të FIA) në aktivitetin e Automobile Club Albania në Tiranë, duke e ftuar t’i bashkohej DPSHTRR-së për të provuar të arrinim së bashku atë që mendohej e pamundur! Themeluam Retro Albania, e anëtarësuam në FIVA, përmirësuam Kodin Rrugor dhe rikonceptuam shumë shërbime të transportit rrugor, organizuam Panairin Ndërkombëtar Automotiv e sot jemi këtu për të hedhur hapin final drejt jetësimit të Auto Moto Park. Si Sokoli ka plot të rinj që hezitojnë, plot profesionistë që dyshojnë se shteti është një humbje kohe. Ja shteti, ja ku jemi, partia jonë e parë është puna, ambicia që të jemi të parët në rajon, përpjekja që të ndërtojmë Europën këtu, të kapim kohën që humbëm shekullin e shkuar dhe të ngremë standardet e shërbimeve publike”, u shpreh Gonxhja.

 

Fraksion.com