AktualitetPolitikëTë fundit

“McGonigal nuk është dorëjashtë”, Berisha: Grusht shteti për të shuar pluralizmin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi pasditen e djeshme Kryesinë e PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha foli në lidhje me çështjen e hetimit të ish zyrtarit të FBI-së, McGonigal.

“Sot mblidhemi në një moment të pashembullt, të jashtëzakonshëm. Mblidhemi në një kohë kur për shkak të akteve mirëfilltas, antishqiptare, antidemokratike, antikombëtare, të Edi Ramës, Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror, në qendër të një akti që tejkalon çdo lloj imagjinate”, tha Berisha.

“Vizitat private në Shqipëri, duke qenë në detyrë, takimet e tij të fshehta të Charles McGonigal me Edi Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratik, që është pluralizmi politik, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Edi Ramës, është një krim i përmasave makabër. Është një veprim i barabartë, me një grusht shteti, kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin. Është një veprim, i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe fake opozitën në Shqipëri”, theksoi Berisha.

Berisha shtoi se, “McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA. U përket autoriteteve amerikane të qartësojnë deri më një lidhjet e tij, agjenturore apo korruptive me Shestakovin, Fokin, del sot në skenë një tjetër, me Deripaskën dhe të tjerë. Por një gjë është e sigurt, lidhjet e tij me Edi Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi. T’i lejojë vetes Shqipëria të korruptojë një qenie të dobët, që nuk duhej të ishte kurrë aty ku ishte ai dhe të mos njoftonte që në rastin e parë, partnerin dhe aleatin tonë strategjik, është bashkëpunim në një krim të shëmtuar kundër SHBA, Shqipërisë, NATO-s dhe kundër çdo vendi të lirë. McGonigal dhe Mark Rossini, bashkëpunëtor dhe ortak i tij, janë angazhuar haptas në veprimtari kriminale, antikushtetuese, antishqiptare për llogari të Edi Ramës. Qëllimi i tyre ka qenë asgjësimi i opozitës shqiptare”.

“Nga viti 2014 rezulton se Mark Rossini, një person që unë kurrë nuk e kisha dëgjuar, bënte akuza ndaj meje si kukull e Putin dhe i përsëriste këto në vitin 2019 në televizionin e Ben Blushit dhe Edi Ramës. McGonigal nuk është dorëjashtë në çdo gjë që ka ndodhur për asgjësimin e opozitës shqiptare”, theksoi Berisha.

 

Fraksion.com