ILD: Lehtësimi i procesit të ankimimit, prioritet konstant
Në 3-vjetorin e ngritjes së ILD-së, lehtësimi i procesit të ankimimit mbetet një prioritet konstant i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në tre vite ekzistencë ILD njoftoi se është përpjekur në vazhdimësi të qartësojë këtë proces, përmes publikimit të një formulari tip ankese në faqen zyrtare të internetit, i cili mund të dërgohet në tri mënyra: online, me postë ose personalisht. Po në faqe gjendet edhe një udhëzues për plotësimin e tij, si dhe një model i plotësuar ankese.
“Duke pasur në vëmendje të posaçme marrëdhënien me qytetarët, si një mënyrë për t’u përmirësuar dhe rritur besimin e publikut tek institucioni ynë, prej disa muajsh kemi vendosur një mënyrë direkte komunikimi, përmes një ankete të publikuar në faqen tonë mbi punën e institucionit. Përgjigjet që marrim janë një element shumë i çmuar për të orientuar punën tonë në vazhdim”, njoftoi ILD.
Po ashtu, ILD sqaron se bazuar në përgjigjet e marra deri tani, ka vendosur të rishikojë mënyrën e informimit të qytetarëve për mënyrën sesi mund të ankohen për shkeljet e gjyqtarëve e prokurorëve.
“Pyetjet që na drejtohen më shpesh nga qytetarët por edhe media, po i sjellim publikisht me përgjigjet përkatëse në rubrikën e ankesave, si një mënyrë për të qartësuar në mënyrë sa më shteruese gjithë procesin e ankimimit pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë u krijua në 1 shkurt të vitit 2020, në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Në tre vite të funksionimit të Institucionit ka hetuar ose ka vlerësuar dosjet e mbi 80 magjistratëve, gati 30 prej tyre kanë shkuar për procedim disiplinor pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Fraksion.com