Integrimi në BE, Shqipëria në takimin e kryetarëve të COSAC
Në Stockholm të Suedisë u zhvillua takimi i kryetarëve të COSAC (Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e BE-së të Parlamenteve të Bashkimit Evropian), organizuar nga Parlamenti i Suedisë, në kuadër të presidencës suedeze të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Gjatë konferencës, kryetarët e komisioneve për Çështjet Europiane të parlamenteve kombëtare dhe anëtarët e Parlamentit Europian takohen për të diskutuar mbi çështjet aktuale të BE-së dhe çështjet që lidhen me rolin e parlamenteve kombëtare në BE.
Në cilësinë e vendit kandidat, Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua në këtë takim nga kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, Jorida Tabaku dhe nga sekretarja e këtij Komisioni, Gerta Duraku.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi prioritetet e Presidencës suedeze të Këshillit të Ministrave të BE-së dhe atë që BE-ja mund të bëjë së bashku në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar, si një kërcënim për sigurinë e saj.
Takimi u drejtua nga Hans Wallmark, kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin e Suedisë.
Gjatë sesionit të parë, parlamentarët diskutuan mbi mënyrat se si mund të rrisin bashkëpunimi ndërkufitar ndërmjet tyre për të luftuar krimin e organizuar dhe si mund të forcohet bashkëpunimi i BE-së për të trajtuar format e krimit të organizuar që priren të rriten në situata krize.
Në fjalën e saj gjatë këtij sesioni, Tabaku nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, si të bashkëpunimit ndërkufitar, ashtu edhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Tabaku, duke vlerësuar diskutimin mbi prioritetet e Presidencës tha se, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ketë pengesa të mëtejshme, por duhet shtyrë përpara, Kosovës duhet t’i njihet statusi i vendit kandidat, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë negociatat pas procesit screening, si dhe me Bosnje-Hercegovinën.
“Kjo është e ardhmja për rajonin, por dhe për BE-në, është më mirë me Ballkanin Perëndimor, se sa pa të”, theksoi Tabaku.
Në sesionin e dytë u diskutua mbi prioritetet e Presidencës suedeze të Këshillit Ministrave të BE-së, prezantuar më 15 dhjetor 2022 nga Qeveria suedeze, të cilët janë: siguria, konkurrenca, një tranzicion i gjelbër dhe i energjisë, vlerat demokratike dhe shteti i së drejtës. Presidenca suedeze do të vijojë t’i japë përparësi mbështetjes së vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.
Fraksion.com