“Firmoset marrëveshja”, Rama: “Durrës Yacht & Marina”, ndikim të jashtëzakonshëm në shpejtësinë e zhvillimit ekonomik
Rama shprehu bindjen se projekti “Durrës Yacht & Marina” do të sjellë një transformim të paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
“Procesi ka qenë i gjatë, i vështirë, me shumë yçkla në aspektin tekniko-ligjor dhe me firmosjen e kontratës ky proces përfundon dhe fillon një proces tjetër, ai i çeljes së kantierit, i fillimit të punës dhe i hapjes së një fronti të ri të rëndësishëm punësimi”, tha Rama.
“Por hyn edhe si konkurrencë në tregun ndërkombëtar që do të ofrojë shërbime jo vetëm të një cilësie të padiskutueshme, por do të ofrojë punësim cilësor dhe shumë profile pune të mirëpaguara për shumëkënd që nuk do të ketë më asnjë arsye në rast se do realisht të punojë, që ta shoh të ardhmen jashtë vendit. Do të sjellë njerëz jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga vende të tjera për të punuar në Shqipëri, sepse për natyrën e këtij investimi është pozicioni në radhën kryesore të konkurrentëve në Mesdhe, në një botë si ajo e turizmit, që është një botë marramendëse për nga oferta, kërkesa, larmia e pafundme e aktorëve”, tha ai.
Rama tha se ky është jo vetëm investimi më i madh i huaj në historinë e vendit tonë, por edhe si investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj në rajon.
“Ky investim nuk vjen nga qielli, por vjen si rezultat i vendosjes së një baze të re themeli të ri për Shqipërinë, punësimi për Shqipërinë e së nesërmes, si një vend që shfaq një potencial të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.
Po ashtu Rama tha se projekti sjell edhe një model të ri zhvillimi në aspektin e qëndrueshmërisë në raport me mjedisin.
“Pak është folur për gjithë transformimin e vijës bregdetare që sot është një vijë e stërndotur prej shumë dekadash ngjitur me plazhin më të madh të Shqipërisë. Investimi transformon tërësisht të gjithë parametrat mjedisore të zonës, sjell zgjidhje të reja për energjinë, eficiencën energjetike për të garantuar energji të gjelbër përmes diellit për ata që do të shfrytëzojnë investimin në aspektin e marrjes në zotërim të apartamenteve, por edhe për koston dhe shpenzimet e gjithë hotelerisë e të gjitha shërbimeve. Ky është një investim që do ta gëzojnë shqiptarët, të cilët do të krenohen për këtë flamur të ri të ndryshimit dhe transformimit që ngulet në gjithë unazën Mesdhetare”, tha Rama.
Në përfundim kryeministri falënderoi skuadrën shqiptare për punën jo të lehtë me një kompani “luan” në botën e ekonomisë globale.
“Një kompani që ka kapacitete të angazhojë skuadra juristësh nga më të mirët në botë. Skuadra jonë ka qëndruar me shumë vendosmëri për të arritur një kontratë të drejtë dhe ku për herë të parë shteti shqiptar është ortak i drejtpërdrejt me 33% të aksioneve, pikërisht se shteti nuk ka asnjë gjë nën rrogoz. Kjo është një tjetër arsye për të qenë shumë krenarë”, tha Rama.
Duke folur edhe si deputet i Durrësit, Rama tha se e mbështet me gjithë forcat këtë projekt.
“E shoh me gëzim ditën kur kjo ëndërr të kthehet në realitet dhe do të mund t’u themi fëmijëve tanë se ne ishim këtu kur u mendua të hidhej vija e parë në letër për këtë projekt që do të jetë një lokomotivë e re ekonomike e sociale për Shqipërinë, por edhe do t’i japë Shqipërisë një arsye më shumë për krenari kombëtare”, tha Rama.
Fraksion.com