“Spiunët e Moskës”, arrestohet bashkëpunëtori i zbuluar në BND
Në kulmin e luftës ruse kundër Ukrainës një punonjës i shërbimit gjerman të kundërzbulimit duhet të ketë spiunuar për Moskën. Po rritet përmasa e këtij rasti, një tjetër person u arrestua ndërkohë.
Carsten L. ka pasur akses tek informacionet për Rusinë
Punonjësi i BND-së, Carsten L. u arrestua më 21 dhjetor në Berlin i dyshuar për tradhti ndaj atdheut. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale tani edhe i akuzuari Arthur E. dyshohet si bashkëveprues për tradhti ndaj atdheut.
Hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me BND-në dhe me mbështetjen e Policisë Federale FBI në SHBA. I pandehuri të hënën (23.01.2023) iu paraqit gjyqtarit të hetuesisë së Gjykatës Federale, i cili udhëzoi përmbarimin e vendimit për mbajtjen në arrest hetimor.
Punonjësi i BND-së i arrestuar në dhejtor pas sulmit rus ndaj Ukrainë vitin e kaluar, informacionet që i kanë rënë në dorë gjatë punës së tij, ia ka përcjellë Rusisë. Informacionet e spiunuara sipas kodit penal konsiderohen si sekret shtetëror, komunikuan autoritetet në Karlsruhe. Gjatë arrestimit në dhjetor u kontrolluan banesa e të dyshuarit dhe dy objekte të BND-së.
Buschmann: Goditje kundër spiunazhit rus
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann (FDP) e konsideroi këtë një goditje të rëndësishme kundër spiunazhit rus, në rast se dyshimi do të konfirmohet. Presidenti i BND-së Bruno Kahl në dhjetor njoftoi, se pasi u vu në dijeni për një rast dyshimi në radhët e shërbimit të informacionit, u morën menjëherë masa të brendshme të zgjeruara hetimore. Kur dyshimi u përforcua, u angazhua menjëherë Prokuroria e Përgjithshme Federale. BND punon ngushtë dhe në besim të plotë me autoritetet e hetuesisë, për ta zbardhur saktësisht rastin, deklaroi Kahl.
Akuza: tradhti ndaj atdheut
Tradhti ndaj atdheut sipas kodit penal mund të ndëshkohet në raste të rënda me heqje lirie deri në të paktën pesë vjet ose edhe me dënim të përjetshëm. Një rast i tillë p.sh. mund të jetë kur dorasi abuzon me pozicionin me përgjegjësi që mbulon, detyrë që e detyron atë të ruajë sekretet shtetërore. Kahl pati theksuar në deklaratën e tij, se në këtë rast janë shumë të rëndësishme të qenit i matur dhe diskrecioni. Ai shtoi, se me Rusinë në anën kundërshtare kemi të bëjmë me një aktor, “të paskrupullt dhe të gatshëm për dhunë”. Çdo detaj i veprimit që depërton në opinionin publik, do të thotë avantazh për këtë kundërshtar që ka qëllim të dëmtojë Gjermaninë.
Në BND së fundi në vitin 2014 u zbulua një agjent i dyfishtë. Gjykata e Lartë e Mynihut dy vjet më vonë e dënoi me tetë vjet heqje lirie të akuzuarin pasi u provua, që për vite me radhë ai kishte spiunuar për shërbimin sekret të SHBA-së, CIA. Asokohe 32 vjeçari u shpall fajtor për tradhti ndaj atdheut dhe shkelje të sekreteve të punës. I kualifikuari si nëpunës zyre në vitet 2008 dhe 2014 i kishte dorëzuar CIA-s mbi 200 dokumente tepër sekrete ose sensitive të BND-së kundrejt një shpërblimi që kishte marrë prej të paktën 80.000 eurove./DW
Fraksion.com