AktualitetNATO/BEOp-EdTë fundit

Rusia nuk po përgatitet për paqe

Nga Mimoza GOLIKJA

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, vlerësoi kontributin e konsiderueshëm të Gjermanisë në parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s në një kohë kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar sfidat më të mëdha për sigurinë tonë ndër breza. Ai lavdëroi gjithashtu Gjermaninë që është ndër aleatët që ofron ndihmën më të madhe ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, automjetet e blinduara, artilerinë dhe municionet. Ai e bëri të qartë se “armët nga Gjermania po shpëtojnë jetë në Ukrainë çdo ditë”. Këto deklarata Jens Stoltenberg i bëri gjatë një vizite në Berlin më 24 janar 2023, ku falënderoi nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, Gjermaninë për kontributet e rëndësishme në NATO dhe mbështetjen e fortë për Ukrainën.

SHefi i NATO-s theksoi se presidenti Putin po planifikon ofensiva të reja dhe nuk ka indikacione se ai ka ndryshuar qëllimin e tij për të kontrolluar Ukrainën, kështu që e vetmja mënyrë për paqen e qëndrueshme është të bëjë të qartë se Rusia nuk mund të fitojë në fushën e betejës. Stoltenberg vlerësoi njoftimet e fundit nga vendet aleate për të rritur mbështetjen e tyre për Ukrainën, përfshirë këtu dërgimin e tankeve. Stoltenberg tha se “në këtë moment kyç të luftës, ne duhet të ofrojmë sisteme më të rënda dhe më të avancuara për Ukrainën, dhe “ne duhet ta bëjmë atë më shpejt”. Ai përshëndeti diskutimin për çështjen e tankeve të betejës, me ministrin Pistorius duke shtuar se “konsultimet mes aleatëve do të vazhdojnë dhe kam besim se së shpejti do të kemi një zgjidhje”. Kurse një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm mori pjesë në Samitin Ekonomik të Welt me drejtuesit e biznesit gjerman në Berlin. Ai diskutoi edhe këtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, investimet në mbrojtje dhe qëndrueshmërinë shoqërore në një botë më të rrezikshme dhe konkurruese.

Moment kyç, ofrimi i sistemeve më të rënda dhe më të avancuara për Ukrainën

Ndërsa uroi ministrin e ri gjerman të Mbrojtjes për marrjen e pozicionit në një kohë “të luftës të plotë në Evropë” dhe “krijimit të rrezikut më të madh për sigurinë tonë ndër breza”, në konferencën e përbashkët për shtyp Shefi i NATO-s tha se kjo është arsyeja pse lidershipi gjerman është më i rëndësishëm se kurrë. “Trimëria e forcave ukrainase ka frymëzuar të gjithë botën”, por “në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë.”. Nga ana tjetër presidenti Putin ka dëshmuar se është i gatshëm të paguajë një çmim të lartë për këtë luftë të padrejtë. Ai ka mobilizuar mbi 200,000 trupa dhe po merr armë të reja nga regjime të tjera autoritare, si Irani dhe Koreja e Veriut. “Por më e rëndësishmja, ne nuk kemi asnjë tregues se Presidenti Putin ka ndryshuar qëllimet e tij”, theksoi Stoltenberg. “Ai dëshiron të kontrollojë Ukrainën dhe po planifikon ofensiva të reja. E vetmja mënyrë për paqen e qëndrueshme është t’i bëjmë të qartë Putinit se ai nuk do të fitojë në fushën e betejës. Prandaj, ne duhet të sigurojmë sisteme më të rënda dhe më të avancuara në mënyrë që forcat ukrainase të jenë në gjendje të zmbrapsin forcat ruse. Jo vetëm për të mbijetuar, por për të fituar, për të marrë përsëri territorin dhe mbizotërojnë si një shtet sovran dhe i pavarur në Evropë.”. Gjermania është ndër aleatët që ofron ndihmën më të madhe ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën. Këtu përfshihen sistemet e mbrojtjes ajrore si Gepard dhe IRIS-T, artileri dhe municione. Së fundmi ajo ka njoftuar gjithashtu dërgimin e sistemeve të avancuara Patriot dhe mjeteve moderne luftarake të këmbësorisë. “Armët nga Gjermania po shpëtojnë jetë në Ukrainë çdo ditë, mbrojtjen e shtëpive, shkollave dhe spitaleve nga sulmet me raketa ruse.”.

Joint press conference with NATO Secretary General Jens Stoltenberg and the Minister of Defence of Germany, Boris Pistorius, in Berlin.

Por gjithashtu edhe aleatët e tjerë të NATO-s po rrisin mbështetjen e tyre. Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten e kaluar në takimin në Ramstein, një tjetër paketë të konsiderueshme prej 2.5 miliardë dollarësh amerikan, përfshirë shumë automjete luftarake të këmbësorisë ‘Bradley’ dhe ‘Stryker’, dhe më shumë armë me rreze të gjatë dhe sisteme moderne të mbrojtjes ajrore. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tjerë kanë njoftuar se do të dorëzojnë tanke. “I mirëpres këto njoftime”, tha Stoltenberg. Në këtë moment kyç të luftës, “ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës sisteme më të rënda dhe më të avancuara dhe ne duhet ta bëjmë atë më shpejt”, tha ai duke njoftuar se e kishin diskutuar në takim çështjen e tankeve të betejës. “Konsultimet mes aleatëve do të vazhdojnë dhe kam besim se së shpejti do të kemi një zgjidhje.”, tha Stoltenberg.

Germany announces it will supply Leopard 2 tanks to Ukraine | Germany | The Guardian

Dhe zgjidhja erdhi në fakt vetëm një ditë më vonë kur Kancelari gjerman, Olaf Scholz, bëri të ditur furnizimin me tanke të tipit Leopard 2 për Ukrainën në një takim të kabinetit qeveritar të mërkurë më 25 janar. Pra Gjermania do të furnizojë me tanke Leopard Ukrainën. Në një “hap të parë” do të dërgohen 14 tanke Leopard nga rezervat e Bundeswehrit. Qëllimi është që bashkë me partnerët e tjerë “shpejt të grumbullohen dy batalione tankesh me tanket e tipit Leopard 2 për Ukrainën”. Së bashku do të dërgohen 90 tanke. Scholz tha se se ky vendim është “rezultat i këshillimeve intensive që janë zhvilluar me partnerët më të ngushtë europianë dhe ndërkombëtarë të Gjermanisë”. Sipas kancelarit gjerman, “ky vendim ndjek vijën e njohur politike gjermane për të mbështetur me të gjitha fuqitë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të kancelarit gjerman. Dhe gjithashtu për Scholz ka pasur rëndësi që të merrte pjesë në këtë proces edhe partneri më i rëndësishëm i NATO-s, SHBA.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha nga ana e tij më 25 janar se tanket Leopard 2 mund të jenë operacionale në Ukrainë për rreth tre muaj. Fillimisht do të kryhet trajnimi dhe më pas tanket do të dërgohen në Kiev, tha ai. Pistorius tha se vendimi i së mërkurës për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë ishte “historik”.  Gjermania do të diskutojë për dërgesat e mëtejshme të sistemeve të armëve në Ukrainë për sa kohë që lufta të vazhdojë, shtoi ai. Megjithatë, është e rëndësishme që “ne të mos bëhemi palë në luftë”, tha Pistorius.

Gjermania luan një rol kyç në NATO me një fond të posaçëm mbrojtës prej 100 miliardë eurosh për avionë të gjeneratës së pestë, helikopterë të rinj, anije, tanke dhe municione. Ajo është tashmë një nga kontribuesit më të mëdhenj të trupave në misionet dhe operacionet e NATO-s dhe drejton forcat e NATO-s në Lituani. Avionët gjermanë patrullojnë qiellin e aleatëve dhe 15.000 trupa gjermane janë të përkushtuar ndaj forcave të reagimit të shpejtë të NATO-s. “Kjo kontribuon ndjeshëm në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive aleate.”.

 Ndihma për Ukrainën është urgjente, Rusia po përgatitet për ofensiva të reja

 Duke folur para gazetarëve se sa të rëndësishëm dhe vendimtarë për rezultatin e luftës janë tanket e betejës që mund t’i sigurohen Ukrainës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha se kjo jo vetëm që do të mund “të zmbrapste ofensivat e reja ruse”, por edhe Ukraina “do të jetë në gjendje të rimarrë territorin për të fituar dhe për të mbizotëruar si një komb sovran i pavarur në Evropë”. Në të njëjtën kohë, “ne duhet të kuptojmë se aleatët kanë vendosur tashmë të dorëzojnë tanke luftarakë, por gjithashtu të dorëzojnë më shumë automjete të blinduara, duke përfshirë automjete luftarake të këmbësorisë. Pra, ajo që na nevojitet janë pajisje më të rënda, më moderne dhe kjo është pikërisht ajo që aleatët kanë njoftuar tashmë për të ofruar”. Gjermania ka njoftuar të dorëzojë automjete luftarake këmbësorie ‘Marder’, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dorëzojnë shumë ‘Bradley’ dhe ‘Strikers’ dhe lloje të tjera të automjeteve të blinduara. Kanadaja, aleatët e tjerë gjithashtu po shtojnë lloje të ndryshme automjetesh të blinduara dhe mjete luftarake këmbësorie. Në një bilanc shihet se edhe disa aleatë kanë dorëzuar tashmë tanke luftarake “përfshirë disa nga aleatët lindorë”. Franca ka njoftuar se do të dorëzojë një tank të lehtë beteje dhe më pas Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dorëzojë tanke moderne Main Battle, Challenger 2.  “Pra, nëse i bashkoni të gjitha këto, njoftimet gjermane, njoftimet nga aleatët e tjerë, janë një gamë e gjerë e llojeve të ndryshme të armaturës për Ukrainën. Ky është një kontribut i madh shtesë për aftësitë luftarake të Ukrainës. Dhe kjo është urgjente, kjo është e rëndësishme sepse Rusia po përgatitet për ofensiva të reja. Ne duhet t’u mundësojmë ukrainasve herët a shpejt të jenë në gjendje t’i zmbrapsin ato sulme dhe gjithashtu t’u mundësojmë atyre të rimarrin dhe çlirojnë territorin e tyre”, tha Stoltenberg dhe theksoi “diskutimin e mirë” në takim për çështjen e tankeve gjermane të betejës. Ai tha se mirëpriste gjithashtu mesazhin e qartë nga ministri se aleatët e tjerë të NATO-s që kanë tanke luftarake Leopard “janë natyrisht të lirë të identifikojnë tanket luftarake Leopard që mund të jenë të disponueshme për Ukrainën. Për t’i bërë gati ato, por edhe për të filluar stërvitjen e ekuipazheve ukrainase për tanket luftarake”. Sepse siç tha ai pasi të jetë marrë vendimi për dorëzimin e tankeve të betejës, “do të duhet pak kohë për të identifikuar, përgatitur dhe trajnuar ekuipazhet ukrainase”.

Uniteti perëndimor në mbështetjen e Ukrainës me tanke të betejës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kur u pyet nga mediat për “unitetit perëndimor” lidhur me dërgimin e tankeve në Ukrainë, nënvizoi se aleatët janë në një mendje për mbështetjen dhe se   gjëja më e rëndësishme është se kancelari Scholz dhe gjithashtu ministri Pistorius kanë absolutisht të drejtë kur vënë në dukje kontributet e rëndësishme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Ukrainës, “kjo është në fakt një substancë që ka rëndësi” dhe ai tha se kjo bën ndryshimin në fushën e betejës çdo ditë. “Fakti që Gjermania është një nga aleatët që po ofron mbështetjen më të madhe kur bëhet fjalë për artilerinë, municionet, sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, Gepards, IRIS-T dhe gjithashtu tani mjetet e rënda luftarake të këmbësorisë, Marders”, është e rëndësishme gjithashtu pasi këto janë aftësi të rëndësishme të blinduara që forcojnë ndjeshëm aftësinë luftarake të Ukrainës. Prandaj, “jam dakord me kancelarin dhe gjithashtu ministrin që në fakt ne duhet të kujtojmë dhe njohim këto kontribute të rëndësishme gjermane.”. Stoltenberg tha se edhe aleatët e tjerë po ofrojnë aftësi të ngjashme, “mbrojtje ajrore ose mjete të blinduara, automjete luftarake të këmbësorisë dhe disa aleatë po ofrojnë gjithashtu tanke luftarake.”. Lidhur me diskutimin mbi ‘Leopardët’ ai tha se kjo është një lloj pjesë e natyrshme e një politike në zhvillim kur bëhet fjalë saktësisht se çfarë lloj aftësish duhet t’i ofrojmë Ukrainës. “Dhe mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të mbrohet kjo hapësirë për konsultime konfidenciale midis aleatëve. Kjo është pjesë e të qenit një Aleancë e 30 aleatëve dhe në fakt ne po punojmë gjithashtu me shumë partnerë siç bëmë në Ramstein, për t’u konsultuar, për të vlerësuar dhe më pas për të marrë vendime në konsultim të ngushtë”, tha ai.

Takimi i Grupit të Kontaktit, çfarë u tha në Ramstein

Në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes të Ukrainës të udhëhequr nga SHBA, mbajtur  në Ramstein, Gjermani dhe kryesuar nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha se Rusia nuk tregon asnjë shenjë se po përgatitet për paqe, por përkundrazi, po përgatitet për një luftë të gjatë. Prandaj, theksoi ai, është urgjente të rritet më tej mbështetja ushtarake, në mënyrë që Ukraina të fitojë dhe të çlirojë territorin e pushtuar. “Ashtu si shumica e luftërave, kjo ka të ngjarë të përfundojë në tryezën e negociatave,” tha Stoltenberg dhe përsëriti se “ajo që ndodh në negociata është e lidhur drejtpërdrejt me atë që ndodh në fushën e betejës, kështu që ne duhet t’i dërgojmë tani më shumë armë Ukrainës.”

Stoltenberg falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në ofrimin e ndihmës shumë të rëndësishme ushtarake për Ukrainën dhe mirëpriti njoftimet e fundit të bëra nga aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën, Kanadanë, Danimarkën, Holandën dhe Suedinë në lidhje me mbrojtjen ajrore, mjetet luftarake të këmbësorisë dhe mjetet e blinduara. Ai gjithashtu përshëndeti që Britania e Madhe, Franca dhe Polonia janë të gatshme të dorëzojnë tanke kryesore luftarake dhe tanke të lehta dhe u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve të ndjekin shembullin e tyre. Sekretari i Përgjithshëm bëri thirrje gjithashtu për furnizime të vazhdueshme me municion, pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje, si dhe trajnime. Në përgjithësi, ai theksoi se vendet e Grupit të Kontaktit po ofrojnë “një paketë masive të aftësive luftarake” për vetëmbrojtje të Ukrainës dhe se konsultimet do të vazhdojnë.

Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së ndihmës ushtarake jo-vdekjeprurëse, duke vënë në dukje se Paketa Gjithëpërfshirëse e Ndihmës së NATO-s, po siguron karburant, ushqim, furnizime mjekësore edhe më shumë për Ukrainën. Por nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm theksoi se aleatët e NATO-s duhet të rrisin prodhimin e armëve dhe municioneve dhe të rimbushin me shpejtësi rezervat. Ai vuri në dukje se Aleanca po punon ngushtë me industrinë për këtë qëllim dhe se prokurimi do të jetë një temë kryesore kur ministrat e mbrojtjes të NATO-s të takohen në shkurt./gazeta Ushtria

 

Fraksion.com