AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nderon viktimat e Holokaustit: Shqipëria ka vendin e nderit në histori

Kryeministri Edi Rama nderoi sot kujtimin e viktimave të Holokaustit, ndërsa theksoi se, për reagimin e saj, Shqipëria ka vendin e nderit në historinë e Luftës së Dytë Botërore.

“I paharruar përjetë kujtimi i viktimave të Holokaustit. Dita e Ndërkombëtare e Holokaustit, për reagimin ndaj të cilit, Shqipëria ka vendin e nderit në historinë e Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Më 27 janar të vitit 1945 trupat sovjetike të Armatës së 60-të të “Frontit të parë ukrainas”, mbërritën pranë qytetit polak të Aushvicit, ku zbuluan kampin e përqendrimit dhe liruan ata që u kishin mbijetuar torturave naziste.

Zbulimi i Aushvicit si dhe dëshmitë e të mbijetuarve, nxorën qartazi para botës mizoritë e gjenocidit nazist.

Hapja e portës së Aushvicit i tregoi tërë botës për të parën herë, jo vetëm dëshmitë rënqethëse të të mbijetuarve, por edhe instrumentet e torturave e të shfarosjes, të përdorura në kampet e përqendrimit.

Megjithëse Ushtria e Kuqe kishte çliruar më herët, të tjera kampe përqendrimi (Majdanek, Belzec, Sobibor e Treblinka), u vendos që Dita e Përkujtimit të përkonte me çlirimin e Aushvicit.

Kjo ditë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën 60/7 të 1 nëntorit të vitit 2005.

 

Fraksion.com