Spiropali: Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, periudha e Holokaustit përbën një prej periudhave më të errëta të historisë njerëzore, dhe është një prej çmimeve më të rënda të gjakut që njerëzimi i ka paguar me sakrificë të lartë marrëzisë tragjike të luftës së njeriut kundër njeriut.
Në seancën e posaçme të Kuvendit në nder të viktimave të Holokaustit, Spiropali duke e konsideruar si tragjedi të përbotshme Holokaustin, tha se, harresa është një dhuratë hyjnore, pasi të harrosh do të thotë të hedhësh të ligën pas krahëve, të harrosh do të thotë edhe të shërohesh.
“Në rastin e Holokaustit është e kundërta. Kujtesa e asaj që është bërë si krim kundër njerëzimit është kthimi dhe rikthimi në vëmendje i asaj, është mjeti më i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë ngjau, për të shpjeguar e mos lejuar përsëritjen e saj në çfarëdolloj forme. Çdo komb e ka Jeruzalemin e tij. Jeruzalemi mund të jetë një qytet pjesë e historisë apo një individ i vetëm, mund te jetë mure të shentja, por mund të jetë edhe shenjtëria e moralit, mund të jetë histori, por edhe projeksion i si ardhmes. Pak popuj në botë mund të kuptojnë kalvarin e frikshëm që populli hebre ka kaluar më mirë se ne shqiptarët. Jemi pushtuar e kërcënuar me shfarosje”, tha ajo.
Spiropali theksoi se, “Shqipëria dhe Izraeli kanë pasur pikat e tyre të kontaktit shumë hershëm, si një shenjë e fatit që bashkon dhe historianët, vuri në dukje ajo, duhet ta nxjerrin në vitrinën e vëmendjes.
“Një prej këtyre është sjella e shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë luftës botërore. Është thënë se, Shqipëria është i vetmi vend evropian që pati më shumë hebrenj pas luftës se sa para saj. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre tek autoritetet. Shpesh me sakrifica të mëdha, por me bindjen se, edhe buka e gojës shtohej kur ndahej me njerëz në nevojë. Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit. Dhe ne shqiptarët mikun e kemi trajtuar si Zot”, u shpreh Spiropali.
Ajo rikujtoi se, para pak vitesh kryeministri dorëzoi listën me 3750 hebrenjtë e strehuar e shpëtuar në Shqipëri gjatë përparimit nazist në të gjithë Evropën.
“Për të kujtuar këtë marrëdhënie të veçantë, u hap një muze në Berat për historinë e hebrenjve në Shqipëri, po ngrihet një në Vlorë dhe një qendër kulturore hebraike në Tiranë, për tu treguar brezave këtë thesar të çmuar të trashëgimisë tonë kulturore, për të forcuar vetëdijen për veprat më të larta të njerëzimit”, tha Spiropali.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.
Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore.
Fraksion.com