AktualitetBota+Të fundit

Gjermania pret një rritje të vogël ekonomike në vitin 2023

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck prezantoi raportin vjetor për zhvillimin ekonomik. Në vend të një recesioni, Berlini pret rritje minimale të GDP-së në vitin 2023.   

Në raportin e ri vjetor për gjendjen ekonomike në vend, qeveria federale gjermane e vlerëson situatën ekonomike në vend më mirë se para disa muajve. Në vend të recesionit, qeveria gjermane pret një plus të vogël në vitin aktual (2023), pra rritje të GDP-së prej 0.2%. Kështu thuhet në raportin e paraqitur nga ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.

Në këtë raport janë tematizuar karakteristikat kryesore të ekonomisë gjermane, pra politika ekonomike e koalicionit qeverisës. Nga njëra anë, Habeck dëshiron të përshpejtojë transformimin e ekonomisë në drejtim të neutralitetit klimatik, e nga ana tjetër, ai duhet të reagojë ndaj rrethanave të ndryshuara që mbizotërojnë në shkallë globale.

Furnizimi me energji

Deri më tani, është dashur të luftohet kriza ekonomike, ndërsa tani nevojitet një politikë ekonomike aktive, thotë Marcel Fratzscher, president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike në Berlin (DIW): “Ne shohim se Gjermania po humbet terren në lojën globale ndaj procesi i transformimit ka nevojë urgjente për një ndryshim kursi nga qeveria federale, me fokusin kryesor në investimet për të ardhmen.”

Dhe pikërisht ky ishte synimi që ministri Habeck kishte një vit më parë, pasi mori detyrën. Titulli i raportit të tij të parë vjetor ekonomik ishte: “Për një ekonomi tregu sociale-ekologjike. Krijimi inovativ i transformimit”. Megjithatë, në muajt e kaluar vëmendja kryesore i është kushtuar sigurimit të furnizimit me energji. Politika reale ekonomike në fakt nuk po ndodh fare, ky është kundërshtimi që vjen nga radhët e opozitës.

Burokracia e tepërt?

Qeveria federale pranon humbjen e konkurrencës në treg, pa u përpjekur as ta ndryshojë këtë trend, thotë Julia Klöckner nga partia demokristiane CDU. Jo se ka më pak burokraci, por ka më shumë, pohon ajo. Dhe si shembull përmend “frenimin” e çmimit të energjisë: “Kompanitë që më kontaktojnë më pyesin më shumë se kur do të lejohen të funksionojnë të lirë, nuk bëhet fjalë për para apo kërkesa, por për dëshirën e tyre për të punuar të lirë. Ato do të preferonin të punësonin inxhinierë ose njerëz të profesioneve të tjera. Por më thonë gjithashtu se duhet të punësojnë më shumë kontabilistë, sepse duhet të dokumentojnë gjithnjë e më shumë gjëra.”

Klöckner e konsideron si një sinjal alarmues njoftimin e koncernit farmaceutik BioNTech se kompania mund të zhvendosë një pjesë të punës së saj për kërkime shkencore në Angli. Gjermania si një vend biznesi është e kërcënuar, beson Klöckner. Në këtë kontekst, kreu i DIW, Fratzscher paralajmëron edhe për përgjegjësinë që kanë kompanitë në procesin e transformimit: “Nëse në Gjermani ndodh deindustrializimi, atëherë do të shkaktohet nga fakti që kompanitë gjermane kanë fjetur fazën e transformimit drejt qëndrueshmërisë, natyrës. mbrojtjes, inteligjencës artificiale, pra teknologjive të reja”.

Habeck pohon se ai dëshiron të “motivojë” ekonominë për të investuar gjithnjë e më shumë në mbrojtjen e klimës: “Të gjithë ata që mbështeten në teknologjitë e vjetra do të kenë probleme në të ardhmen, jo vetëm për shkak të mbrojtjes së klimës, por do të ketë dhe probleme ekonomike”.

„Transformimi ekologjik”

Këtë, siç thotë ai, e tregon Akti i Reduktimit të Inflacionit në SHBA, që është një program i madh subvencioni, përmes të cilit rrjedhin shumë para në drejtim të “transformimit ekologjik”, thekson ministri i Ekonomisë. Ende po diskutohet sesi Evropa duhet të reagojë ndaj këtij programi. Habeck argumenton se nuk duhet të ketë garë për subvencione. Përkundrazi, ai dëshiron të çojë përpara proceset teknologjike pa e rrezikuar tregtinë.

Tregtia duhet të diversifikohet, në mënyrë që të reduktohet varësia nga disa vende si Kina, mendon Habeck. Ai dëshiron të inkurajojë nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare, nëse ato përfshijnë një komponentë të respektimit të standardeve sociale dhe mjedisore. “Kuptimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, apo marrëveshjeve tregtare, nuk është tregtia maksimale, pavarësisht nga gjithçka, por respektimi i të mirave sociale, rritja e vlerës së shtuar sociale dhe mbrojtja e klimës”.

Pra, mesazhi është: nuk është vetëm rritja e GDP-së ajo që ka rëndësi. Në raportin vjetor, për herë të dytë, gjendet një kapitull në të cilin trajtohen standarde të tjera për matjen e mirëqenies në shoqëri. Për shembull, norma e barazisë ose emetimet e CO2./DW

 

Fraksion.com