Bullgaria do të tërheqë ambasadorin nga Shkupi
Tensionohen më tej marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov rikthen mundësinë e vendosjes së vetos sërish për Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë është shprehur, se Bullgaria do të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, dhe do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut. Ky hap është ndërmarrë pas tensioneve të fundit me Maqedoninë e Veriut, sidomos pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit, përfaqësuesit të një klubi bullgar në qytetin e Ohrit. Sulmi ndaj tij ka ndodhur më 19 janar, por hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale, apo për shkak të nënshtetësisë bullgare. “Të gjithë jemi të mendimit se gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë. Kjo që po ndodh nuk është qasje produktive. Duhet të bëhet e qartë se gjërat kanë ndryshuar. Ne do të shqyrtojmë më shumë komponente dhe elemente të bashkëpunimit tonë dypalësh me Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar kreu i diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov.
Bullgaria kërcënon me ripërsëritjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut
I pyetur nëse pas këtij incidenti Sofja do t’i bllokojë bisedimet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Milkov ka thënë se Bullgaria nuk do ta bëjë këtë gjë, sepse siç tha, “bisedimet asnjëherë nuk kanë filluar”. Kreu i diplomacisë bullgare ka ritheksuar mundësinë se nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet në këtë mënyrë ekziston ripërsëritja e vetos për fillimin e dialogut mes Shkupit dhe BE-së. “Maqedonia që të vazhdojë rrugëtimin evropian duhet patjetër t’i respektojë detyrimet e marra nga BE. Bullgaria nuk ka nevojë të ndërmarrë asgjë por vetë do të vëzhgojë se a respektohen këto detyrime nga pala maqedonase. Në propozimin evropian nuk ka afate për realizimin e obligimeve që do të thotë se Maqedonia ato mund t’i plotësojë me vite të tëra, por kjo do të thotë se pa plotësimin e tyre, bisedimet për anëtarësim në BE nuk mund të fillojnë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolai Milkov.
Kyqyk: Kthimi i vetos do të ishte gabim
Kthimi i vetos sipas eurodeputetit bullgar Ilhan Kyqyk, i cili njëherazi është edhe raportues i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut do të ishte gabim i madh dhe do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje. “Ky do të ishte gabim i madh. Vetoja në asnjë mënyrë nuk ndikon pozitivisht në marrëdhënjet e mira ndërfqinjësore. Por ndodh e kundërta, vetoja do t’i shtonte provokimet”, është shprehur eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyqyk.
VMRO-DPMNE: Me këtë qeveri mund të presim vetëm dështime
Pas deklaratave nga Bullgaria, ka reaguar edhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE-së. Ajo ka akuzuar partitë në pushtet, të cilat sipas saj, pranuan të gjitha kushtet e Bullgarisë, që çuan në acarimin edhe më të madh të raporteve mes dy vendeve. “Me LSDM-në dhe BDI-në, me kryeministër Kovaçevskin dhe shef të doplomacisë Bujar Osmani kemi vetëm pasiguri, poshtërime dhe bllokada. Qëndrimi joshtetëror që qeveria tregon në veprim, është disfata më e madhe që mund t’i ndodhë Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Marrëdhëniet e acaruara maqedonaso-bullgare mund të ndikojnë edhe në punën dhe aktivitetin e komisionit të përbashkët maqedonaso-bullgar për çështjet historike dhe arsimore. Për të patur përparim në punën e këtij komisioni është e nevojshme të ketë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore e jo tensione, thotë Petar Todorov, anëtar i komisionit të përbashkët maqedonaso-bullgar për çështje historike dhe arsimore. “Ne, nga pala maqedonase disa herë kemi ritheksuar domosdoshmërinë e atmosferës konstruktive në punën e këtij komisioni, vetëm atëherë mund të kemi punë produktive dhe rezultate pozitive. Tensionet dhe provokimet mund të dëmtojnë rëndë punën e këtij komisioni”, ka thënë Todorov.
Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë acaruar në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, të cilat janë kundërshtuar nga pala maqedonase, pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit – personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë./DW
Fraksion.com