AktualitetTë fundit

Shkodër, grupet kriminale kontrollojnë territorin përmes kamerave

Policia njoftoi sot se, në vazhdim të operacionit “Fijet”, ka zbuluar dhe sekuestruar edhe 38 kamera të tjera vëzhgimi, që përdoreshin nga grupet kriminale për të monitoruar lëvizjet dhe operacionet e forcave të policisë vendore në Shkodër si dhe lëvizjet e grupeve rivale.

Operacioni policor “Fijet” nisi me datën 14 janar me identifikimin dhe heqjen e 21 kamerave të para. Deri tani, policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë dhe sekuestrojë 59 kamera vëzhgimi, të instaluara në shtyllat e ndriçimit publik përgjatë segmenteve kryesore të qytetit të Shkodrës, në lagjet “Dobraç”,”Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.

Pjesa më e madhe e kamerave të zbuluara transmetojnë përmes internetit imazhe në distancë me cilësi të lartë. Policia dyshon se, me anë të këtyre kamerave grupet kriminale mbanin nën kontroll hyrjet dhe daljet e qytetit si dhe lagjet më të populluara të tij.

Sipas policisë, kamerat e zbuluara dhe sekuestruara janë vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente, duke cënuar ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në njoftimin e saj, policia bëri të ditur se po punon për identifikimin e pronarëve të këtyre kamerave dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të tyre.

Ndërkohë, dyshohet se në qytet ka ende një numër të konsiderueshëm kamerash vëzhgimi, të instaluara për qëllime kriminale nëpër shtyllat e ndriçimit publik apo në fasada objektesh pa pronar. Nuk është e qartë koha kur kamerat janë instaluar, por numri i madh i tyre lë të dyshohet se ato gjenden aty prej shumë kohësh.

Shkodra është një nga zonat e Shqipërisë me kriminalitet të lartë dhe me një numër vrasjesh dhe veprash të rënda penale të pazbuluara. Tre vjet më parë, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit bënë të ditur se në Shkodër veprojne 4 grupe kriminale, por deri tani policia nuk ka arritur të ndalojë dhe të vërë para drejtësisë pjesëtarët e këtyre grupeve.

 

Fraksion.com